TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Qendërmbrojtësi i Gjermanisë Mats Hummels ka shumë të ngjarë të humbasë përballjen me Suedinë të shtunën pas një problemi në qafë, ka thënë trajneri Joachim Loew, në një konferencë shtypi në prag të ndeshjes së dytë të Grupit F, të cilën Gjermania dëshiron ta fitojë pas humbjes me Meksikën.
Menaxheri theksoi se Gjermania do të ketë nevojë sidomos për mbrojtësit që janë të fortë në luftën në ajër kundër suedezëve të gjatë, prandaj “nuk do të kishte kuptim që ai të luante.”
Një zëvendësim i mundshëm për Hummels mund të jetë Niklas Suele, që luan përkrah qendrës Jerome Boateng te “Bayern Munich”.
Përveç pyetjeve në lidhje me gjendjen psikologjike të ekipit dhe ndryshimet e mundshme të formacionit pas humbjes 1-0 ndaj Meksikës, Loew tha se nuk ka arsye për t’iu nënshtruar ndryshimeve të mëdha në planin e lojës apo futbollistëve. “Nuk duhet të dryshojmë stilin tonë të lojës, – tha menaxheri. – Besimi themelor tek një lojtar i cili ka performuar në nivel të lartë për tre apo katër vjet, ose edhe më gjatë, nuk mund të vihet në pikëpyetje vetëm për një ndeshje të keqe”.
Përveç kësaj, për të bërë ndryshime të vogla taktike, Loew tha se fokusi këtë javë ka qenë në përgatitjen psikologjike të ekipit. “Duhet të kesh pasion dhe të mbrosh me gjithçka që ke. Mënyra si luan, qëndresa dhe fuqia që ke janë shumë të rëndësishme”, – tha ai.
Loew është i bindur se ekipi i tij e kupton se si mund ta zhbllokojnë mbrojtjen e Suedisë, e cila nuk është detyrë e lehtë. Suedia mbrohet fort, nuk lejon shumë hapësira, … dhe një nga armët më të forta të saj është loja e tyre si një skuadër.
“Ata kurrë nuk dorëzohen. Mbaj mend që kemi udhëhequr me rezultatin 4-0 (në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2014, luajtur në tetor 2012) dhe ata barazuan 4-4”, – tha Loew.
Ndeshja mes Gjermanisë dhe Suedisë do të luhet të shtunën në stadiumin olimpik të Fishtit, në orën 20.00. /marca//r.e/








