TIRANË, 21 qershor /ATSH/- Tregu i sistemeve me vlerë të vogël po përballet gjithnjë e më shumë me zhvillimet teknologjike. Zhvillime si pagesat në kohë reale, portofolët digjitalë apo pagesat me celular po bëhen një përditshmëri. Këto zhvillime kërkojnë ndërhyrje rregullative dhe infrastrukturore për të dhënë kontributin e duhur në ekonominë e vendit.
Këto çështje u diskutuan sot në konferencën “Modernizimi i sistemeve të pagesave me vlerë të vogël” që zhvilloi punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga banka qendrore të rajonit, Banka Botërore, Shoqata Shqiptare e Bankave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë si dhe përfaqësues nga komuniteti i biznesit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se sot tregu i pagesave online po njeh një trend të ri zhvillimi, diktuar nga avancimi i teknologjisë dhe informacionit.
“Në një kohë kur tregu gjithnjë e më tepër po pranon pagesat elektronike, institucionet financiare po promovojnë fuqishëm kartat dhe pagesat me celularë janë duke u bërë një realitet në vend, mund të themi se ekzistojnë kushtet e duhura për të pasur një diskutim kuptimplotë se si të ecim vrullshëm dhe si të rrisim numrin e pagesave elektronike në Shqipëri”, tha Sejko.
Shqipëria, vijoi ai, po bën hapa progresi në këtë drejtim për të kaluar nga pagesa Cash në pagesat elektronike. Ekziston një shumëllojshmëri instrumentesh për pagesat elektronike, ku ndër më kryesoret përmendim: Pagesa e bazuar në karta (p.sh. karta debiti / krediti / karta e parapaguar) Pagesa nëpërmjet telefonit (p.sh. pagesat e bëra përmes celularëve) Pagesa nëpërmjet internetit (p.sh. me pagesa me E-banking). etj. Por nevojiten të shtohen edhe më tej këto shërbime, si mjeti i duhur i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë së vendit, tha Guvernatori Sejko.
Ndërsa zv-kryeministrja Senida Mesi, u shpreh se, kjo iniciativë e BSH-së vjen në koherencë me politikat e qeverisë për rritjen e shërbimeve online të administratës ndaj publikut, si modeli që redukton burokracinë dhe lehtëson marrjen e shërbimeve për qytetarët.
Aktualisht tha ajo, përmes platformes e-albania, ofrohen mbi 800 shërbime on line, në sektorin e pronës, shëndetësisë, tatimeve etj, por zgjerimi i mëtejshëm i shërbimeve edhe nga ana e sektorit bankat është një vlerë shtuar për ekonominë e vendit, tha Mesi.e.xh/ j.p/























