TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Skuadra e Spanjës ka arritur të triumfojë në ndeshjen e vlefshme për grupin B duke mposhtur me mjaft vështirësi kundërshtarët modestë të Iranit.
Goli i vetëm i takimit erdhi në pjesën e dytë, konkretisht në minutën e 54-t të takimit, me anë të Diego Kostës, i cili ishte me fat, kur topi iu përplas në këmbë nga një lojtar iranian e më pas përfundoi në rrjetë.
Pas një pjese të parë të mërzitshme dhe me pak raste nga të dyja ekipet, 45 minutat e dyta treguan një tjetër panoramë të ndeshjes, ku aksionet e shumta dhe rastet nuk munguan.
Në këtë takim ekipi i Iranit u shfaq mjaft i rrezikshëm, duke realizuar edhe një gol i cili u anulua, pasi sistemi “VAR” vendosi për pozicion jashtë loje.
Pas pësimit të golit ndeshja është ndezur disi, ku ekipi i Iranit ka tentuar disa herë kuadratin e portës spanjolle, por pa sukses për të finalizuar.
Me këtë fitore Spanja i bashkohet me pikë të barabarta portugezëve të Kristiano Ronaldos, duke luftuar për vendin e parë të grupit B. /e.caushi/








