Ballina SPORT

Anglia dhe Belgjika debutojnë sot në Rusi

TIRANË, 18 Qershor/ATSH/ -Kampionati Botëror “Rusi 2018” hyn sot në ditën e pestë të tij, kur do të luhet ndeshja e fundit e grupit F, si dhe do të debutojnë dy nga skuadrat pretendente, Belgjika dhe Anglia.

Në orën 14:00 fillimisht në fushën e blertë do të zbresë Suedia, e cila do të përballet me Korenë e Jugut, në një sfidë ku nordikët do të kërkojnë marrjen e tre pikëve. Kjo pasi humbja e Gjermanisë me Meksikën, i ka hapur shanset për të siguruar një vend në fazën e 1/8-ave, por për t’ia dalë, duhet fituar ndeshja ndaj Koresë.

Gjithsesi aziatikët nuk janë kurrsesi një skuadër për t’u nënvlerësuar, pasi kanë disa lojtarë që luajnë në Europë dhe të udhëhequr nga sulmuesi i Tottenhamit, Son Hueng-min, mund të befasojnë.

Në orën 17:00 do të jetë radha e Belgjikës, që të zbresë në fushë. Skuadra e drejtuar nga Robert Martinez do të përballet me Panamanë, një kundërshtar që merr pjesë për herë të parë në një Botëror. Sfida duket e lehtë në letër, por në fushë këto ditë të para kemi parë se askush nuk ka ardhur rastësisht në Rusi.

Belgjika vjen në këtë Botëror jo më si skuadra e mbushur me talente, por si një ekip që ka në përbërje shumë yje të afirmuar. Puna e Martinez do të jetë t’i bëjë të luajnë bashkë, një mision ky shumë i vështirë, por që fusha e lojës do të japë një përgjigje më të qartë.

Në mbrëmje do të zbresë në fushë Anglia, e cila do të luajë përballë Tunizisë, në ndeshjen e parë të grupit G. “Tre luanët” vijnë në “Rusi 2018” me petkun e pretendentit, dhe si rrallëherë, atmosfera në skuadër është tejet pozitive dhe me optimizëm.

Trajneri Gareth Southgate ka arritur të vendosë ekuilibrat në ekip dhe tashmë skuadra angleze luan një futboll shumë të kujdesshëm, ndërsa lojtarët në fushë tregohen shumë racionalë.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFlamur Kuçi: Hapësira te teatri duhet rivitalizuar
Artikulli tjetërFOKUS – E djathta franceze zhytet në krizë