Ballina Ekonomi

Ndërhyrja në autostradë, akset që shmangin trafikun

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ – Gjatë ditës së sotme vijuan punimet e ndërhyrjes emergjente për riparimin e shtresave të asfaltit në aksin Qafë-Kashar-Durrës dhe Durrës-Qafë-Kashar në segmentin Vorë-Maminas në drejtimin Tiranë-Durrës.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro në një prononcim për ATSH-në bëri të ditur se në bashkëpunim me policinë rrugore është hartuar një plan operacional ndërhyrjeje dhe devijimi të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Sipas tij, lëvizja e automjeteve në drejtimin Tiranë–Durrës devijohet te karburant “Kastrati” në Vorë në rrugën dytësore Vorë–Marikaj–Maminas (te nënkalimi i dytë i Vorës).

Automjetet, theksoi Qendro, mund të përdorin sërish autostradën nga Maminasi në drejtim të Durrësit te mbikalimi i Maminasit.

Lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë të cilat lëvizin nga Veriu në drejtim të Jugut, vuri në dukje ai, do të devijohen në Fushë-Krujë në drejtim të Kamzës, duke shfrytëzuar rrugët alternative Tiranë–Unaza e re–Kombinat–Ndroq–Durrës ose Tiranë–Unaza e re–Elbasan–Rrogozhinë.

Ndërkohë, Qendro bën të ditur se drejtimi nga Durrësi për në Tiranë është i hapur për lëvizjen e automjeteve, por dalja për automjetet te mbikalimi në Marikaj për në rrugën dytësore do të jetë i bllokuar.

Po ashtu edhe dalja te mbikalimi i Vorës në drejtim të veriut do të jetë e mbyllur për mjetet e rënda që lëvizin në drejtimin nga Durrësi drejt veriut. Këto mjete do të shfrytëzojnë mbikalimin te “Casa Italia” në drejtim të Kamzës dhe në vijim.

“Në mënyrë të veçantë drejtuesit e mjeteve që përdorin segmentin Tiranë-Durrës dhe kthim duhet të përpiqen të zgjedhin drejtime alternative sipas udhëzimeve që do të jepen në vazhdimësi nga autoriteti rrugor dhe policia rrugore”, – deklaroi kreu i autoritetit rrugor.

Ai siguroi se punonjësit e këtyre dy institucioneve dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqendruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.

Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor, sinjalistikës provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë, sipas Qendros mbeten thelbësore për vijimin e punës.

Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Vorë-Maminas do të fillojë ndërhyrja në segmentet e tjera për të cilat ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe do informojnë opinionin publik. /a.gjonaj//j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Pse Skënderbeu ishte faktor uniteti mes Shqipërisë dhe Greqisë
Artikulli tjetërPunësimi, kthesë themelore drejt një të nesërmeje shumë më të mirë