TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Taksa e pronës do të vijojë të paguhet 100 lekë të rinj në faturën e ujit, deri sa të përfundojë hartimi i kadastrës fiskale.
Kryetari i bashkisë Erion Veliaj sqaroi qytetarët se rritja do të fillojë kur infrastruktura të jetë gati.
“Ndërkohë aprovoj me këshill se taksa do të mbetet e pandryshueshme në Tiranë, derisa të këtë një vendimmarrje kombëtare se si do të vazhdojë mbledhja e taksës së pronës. Por duhet reflektuar se meqënëse taksa prej 1% zbatohet që në datën 1 prill dhe meqë ka ende punë për të bërë, ky këshill jep dakordësinë që ne të vazhdojmë siç jemi”, – tha kryebashkiaku.
Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, Erion Veliaj foli edhe për taksat e rritura ndaj ndërtuesve. “Po, për 0.01% e popullsisë që janë ndërtues, taksat janë rrit, por ama për 99.95% që janë familjarë, taksat nuk janë rritur, fare fare”, – tha Veliaj.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak është zhvilluar sërish pa praninë e këshilltarëve të djathtë. Që në fillim të saj anëtarët e grupit demokrat kundërshtuan disa pika të shtuara në rendin e ditës, që sipas tyre nuk ishin diskutuar më parë në komisione.
Largimi i tyre ka sjellë edhe reagimin e kryebashkiakut, i cili tha se deri tani opozita nuk ka bërë asgjë për Tiranën. Kreu i bashkisë vlerësoi gatishmërinë e të huajve, së fundmi edhe të çiftit shqiptaro-turk Almeda Abazi-Tolgan, të cilët janë të ftuar të spektaklit “Dancing with the stars” dhe i janë bashkuar nismën së gjelbërimit të Tiranës. /a.f//r.e/























