Ballina SPORT

RUSI 2018/ Ozil mungon në stërvitjen e fundit të Gjermanisë

TIRANË, 7 qershor/ATSH-AFP/ – Ylli i “Arsenalit”, Mesut Ozil do të mungojë në ‘nxehjen’ finale përpara fillimit të ndeshjes zyrtare të Botërorit, për shkak të një dëmtimi në gju, por pjesëmarrja në Kupën e Botës nuk vihet në diskutim, sipas Federatës Gjermane të Futbollit (DFB).

29 vjeçari, Ozil për shkak të dhimbjeve të lehta në gjurin e tij të djathtë, do të qëndrojë në tribunë në miqësoren që përfaqësuesja gjermane do të luajë kundër Arabisë Saudite, e cila do të zhvillohet në “Leverkusen”.

“Nuk mora pjesë në stërvitjen e fundit të skuadrës sot, por disa ushtrime vrapuese ishin të mundura sërish”, shkroi ai në rrjetin social “Twitter”.

Mesfushori, i cili u dëmtua të shtunën e kaluar në humbjen shokuese 2 me 1 kundër Austrisë, nuk ka marrë pjesë në stërvitjet e plota në katër ditët e fundit në qendrën stërvitore të Gjermanisë në Epann, në Italinë veriore.

“Nuk është asgjë dramatike, ne thjesht nuk duam të ndërmarrim asnjë risk dhe ai ishte i aftë që të vraponte në stërvitje.

Besoj se ai do të jetë gati për Kupën e Botës”, – tha drejtori i ekipit të Gjermanisë, Oliver Bierhof.

Ozil i cili përfundoi sezonin futbollistik 2017/2018 me një dëmtim në shpinë, është në përpjekje për të rikuperuar dëmtimin e tij për ndeshjen e parë të Kupës së Botës kundër ekipit të Meksikës në Moskë, në datën 17 qershor.

Në rast se Ozil do të mungojë, ai do të zëvendësohet nga mesfushori i “PSG”-së, Juljan Draksler, i cili do t’i bashkëngjitet repartit të avancuar. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolicia dhe Agjencia për Forenzikë përmirësojnë nivelin e punës me pajisje të reja
Artikulli tjetërUKRAINË – Parlamenti i hap rrugën krijimit të një gjykate anti-korrupsion