TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, është pritur sot në një takim të veçantë nga Kryetari i Parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka.
Kryeparlamentari Veseli falënderoi homologun e tij për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake, politike e ekonomike të Austrisë për Kosovën në të gjitha fazat, sidomos viteve të fundit në aspektin e zgjerimit të njohjes ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit europian.
Në këtë funksion, Kryeparlamentari Veseli kërkoi mbështetjen e nevojshme të Austrisë për liberalizimin e vizave.
“Kemi nevojë për përkrahjen e Austrisë në rrugën tonë drejt integrimeve europiane. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe qytetarët tonë meritojnë të lëvizin lirshëm në Europë. Ne presim që në fund të këtij viti qytetarët tanë të mund të lëvizin pa viza në Zonën Shengen”, – tha Kryeparlamentari Veseli.
Veseli e njoftoi Kryeparlamentarin austriak edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, hapat që po ndërmarrin institucionet në fushën e zhvillimin ekonomik dhe angazhimet në kuadër të procesit të integrimit europian e të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, vizitën në Vjenë të Kryetarit Veseli dhe delegacionit që e shoqëron, e konsideroi një mundësi për të kontribuar më shumë në forcimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve që tashmë të dy shtetet dhe parlamentet respektive kultivojnë ndërmjet tyre. Ai vlerësoi lart hapat zhvillimorë që ka bërë Kosova në të gjithë fushat, ndërsa shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për ta vazhduar mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.
“Austria e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve europiane. Austria e përkrah gjithmonë Kosovën edhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe nëse vlerësohet se janë përmbushur kriteret, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë këtë përkrahje për heqjen e vizave”, – tha Kryeparlamentari Sobotka.
Turneun lobues për liberalizimin e vizave, Kryeparlamentari Veseli ka vendosur ta fillojë në Austri, pasi ky shtet mik i Kosovës nga data 1 korrik do të marrë kryesimin e Këshillit Europian.
Në këtë vizitë, Kryeparlamentari Veseli po shoqërohet nga një përfaqësues i secilit grup parlamentar: Glauk Konjufca VV, Aida Dërguti PSD, Teuta Rugova LDK, Evgjeni Thaçi Dragusha PDK, Time Kadrijaj AAK, Bilall Sherifi Nisma Socialdemokrate, Adem Hodza LS dhe Fikrim Damka 6+.KosovaPress/e.caushi/























