FOKUS – Qeveria e re spanjolle me maxhorancë femërore

MADRID, 6 qershor /ATSH-ANSA/ – Nuk ndodhte që prej 10 vitesh, por nga nesër, Spanja, që më 8 mars manifestoi fuqishëm për mbrojtjen e ”mujeres’’ (grave), mund të ketë një qeveri me maxhorancë femërore.

Kryeministri i ri spanjoll, Pedro Sanchez ka zgjedhur të paktën gjashtë gra në postet kryesore të ekzekutivit, nga Ministria e Brendshme tek ajo e Ekonomisë.

Nuk ndodhte që prej vitit 2008, nga koha e Zapateros, i cili zgjodhi në qeverinë e tij më shumë gra sesa burra.

Një sinjal i fortë i ndryshimit nga ana e Sanchez, 46 vjeç, pas largimit mes lotësh nga politika të liderit të Partisë Popullore, Mariano Rajoy, pas shtatë vitesh në pushtet.

Gra të reja, super të kualifikuara, me përvojë në politikë dhe administratë.

Kush është përzgjedhur?

Fillohet nga Carmen Calvo, e cila emërohet zëvendëskryeministre dhe ministre e Shanseve të Barabarta, ministri e krijuar nga Zapatero dhe më pas e përfshirë te Ministria e Shëndetësisë.

Në Ministrinë e Ekonomisë do të emërohet Nadia Calvino, 50 vjeçe, metodike, rigoroze, ambicioze dhe një europeiste e fortë.

Në Bruksel për të ekziston një reputacion i lartë dhe jo më kot ka qenë edhe drejtoreshë për bilancin në Komisionin Europian.

Ministria e Shëndetësisë do të jetë Carmen Monton, e Ambientit Tereza Ribera, e Bujqësisë, Maria Jesus Montero dhe për Administratën Publike Meritxell Batet.

Kësaj të fundit kryeministri i ka besuar të zgjidhë çështjen delikate të Katalonjës.

Në ”skuadrën e ëndrrave’’ të Sanchezit bëjnë pjesë edhe Pilar Cancela në Ministrinë e Drejtësisë dhe Margarita Robles në Ministrinë e Brendshme./ /os/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.