Ankohet për kartën e identitetit, i zgjidhet për 72 orë

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Koordinatori për Ministrinë e Brendshme në platformën e Bashkëqeverisjes prezantoi në takimin me Kryeministrin Rama, rastin e një qytetari që nuk merrte dot shërbime as në institucione private dhe, as shtetërore, për shkak se numrit të tij personal në kartën e identitetit i mungonte një shkronjë dhe nuk njihej nga sistemi.

Një problem i vogël, siç vuri në dukje vetë Kryeministri, por që i kushton shumë një familjeje apo një personi.

Duke shpjeguar rastin në fjalë, vajza e personit që depozitoi ankesën në Platformën e Bashkëqeverisjes, theksoi se pas muajsh të tërë në një situatë bllokimi, babai i saj ishte pajisur në kohë rekord, vetëm 72 orë, me një dokument nga platforma, e cila mundëson që ai të marrë shërbimet e kërkuara në institucionet shtetërore apo private.

Kryeministri Rama vuri në dukje, se bëhet fjalë për një rast tipik të zgjidhjes së një problemi në dukje të vogël, por që shkakton mjaft probleme për personin e dëmtuar. “Një germë në kartën e identitetit. Përfytyroni se sa muaj ka zgjatur, pasi nuk ka pasur zgjidhje në rrugë të zakonshme për shkak të burokracisë, ku këto probleme të mprehta për një person apo familje humbasin si fije floku që nuk e sheh askush”, – theksoi Kryeministri.

Ai këmbënguli se me Platformën e Bashkëqeverisjes, qytetarët kanë në dorë qeverinë. “Qytetarët duke u ankuar në Platformën e Bashkëqeverisjes vënë menjëherë në lëvizje qeverinë për të zgjidhur një problem që mund të jetë kaq i vogël në dukje e që mund të mos bjerë në sy të administratës, por është i madh për familjen apo personin”, – përfundoi Kryeministri.

Në Ministrinë e Brendshme, sipas koordinatorit përkatës të Platformës, gama e ankesave është relativisht e lartë dhe ngjyrimet janë të larmishme. Mbi 95 për qind e ankesave kanë marrë përgjigje. /j.prifti/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.