Agjenci e përbashkët për Hipotekat dhe ALUIZNI-n, zgjidhje për titujt e pronësisë

TIRANË, 6 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Zona më “e nxehtë” e ankesave që rezulton nga platforma e bashkëqeverisjes janë titujt e pronësisë, ndaj dhe Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se reforma për krijimin e një agjencie të përbashkët të Hipotekës dhe ALUIZNI-t do të japë rezultate pozitive në këtë drejtim.

I pranishëm në një aktivitet në sallën e Hartave në kryeministri, Kryeministri Rama u shpreh se kjo është një fushë ku ka shumë probleme, por po shohim në vijimësi një përmirësim të vazhdueshëm, edhe pse jo shumë të ndjeshëm për qytetarët.

Ndaj, ai shprehu bindjen se edhe reforma që është drejt përfundimit dhe materializohet në një agjenci të përbashkët për hipotekat dhe ALUIZNI-n, do të ketë rezultate pozitive.

Kryeministri ftoi sërish qytetarët të përdorin platformën e bashkëqeverisjes, duke theksuar se, “do të jetë qytetari ai që do të imponohet me forcën e ligjit dhe administrata do të përgjigjet”.

“Është shumë mirë nëse bëjmë çdo javë një aktivitet si ky në funksion të sensibilizimit, informimit dhe shpjegimeve të nevojshme me raste konkrete të përmbajtjes së punës sonë dhe rezultateve që duhet të inkurajojnë edhe të tjerët për tu drejtuar në platformë. Është e gjithë makineria shtetërore që angazhohet pastaj në atë sektor specifik për zgjidhjen e problemit”, shtoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.