TIRANE, 5 qershor /ATSH/ -Vizitorët e Muzeut arkeologjik të Durrësit bashkë me objektet mijëvjeçare kanë ndjekur sot edhe punimet e nxënësve të shkollave të mesme të qytetit.
Në ekspozitën e përgatitur me ndihmën e shoqatës “Udhëtim i lirë” janë paraqitur 63 punime të frymëzuara nga monumentet historike dhe arkeologjike të qytetit antik, të cilat janë krijuar me materiale të riciklueshme prej të rinjve të moshës 15-18 vjeçare.
Miranda Mansaku, kryetare e kësaj shoqate tha për ATSH-në se për katër muaj radhazi nxënësit e shkollave “Dom Nikoll Kaçorri”, “Benardina Qeraxhia”, “Olsi Lasko” dhe “Beqir Çela” janë njohur me elementet ku ndërthuren mjedisi dhe monumentet arkeologjike e historike të Durrësit.
Në këto shkolla po vijon fushata ndërgjegjësimi e të rinjve, mbi rëndësinë e riciklimit, si një formë e rëndësishme e mbrojtjes së mjedisit.
Nxënësit e shkollës “Beqir” Çela u shpallën më të mirët për numrin e veprave të paraqitura dhe për cilësinë e shfrytëzimit të materialeve të riciklueshme, duke u bërë njëkohësisht edhe fitues të një peme ulliri.
Punimet e nxënësve Ervis Dautaj, Belkiza Gjipali dhe Afrim Lleshi u cilësuan si më të mirat e veprimtarisë, që synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e mjedisit./e.malaj/ /a.g/



























