https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155850087531523/
TIRANË, 1 qershor/ATSH/- Numri i vendeve të punës të ndërmjetësuara përmes Shërbimit Kombëtar të Punësimit ka arritur në 10858 persona.
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen në një deklaratë për shtyp deklaroi se objektiv i qeverisë është që përmes zyrave të punësimit brenda vitit 2018 të arrihet punësimi i 25 mijë qytetarëve.
“Zyrat e punës kanë një target prej 25 mijë punëkërkuesish, të cilët do të asistohen përmes tyre”, deklaroi Sorensen.
Ajo bëri të ditur se disa zyra pune rajonale si ajo e Kukësit, Pogradecit apo Sarandës të cilat kanë një treg të vogël punë, e kanë kaluar targetin e vendosur me 4-5 fish.
“Duke pasur parasysh performancën e zyrave të punës ne besojmë se objektivi do të realizohet”, tha ajo.
Zv/ministrja Sorensen theksoi se një kategori e veçantë të cilës zyrat e punës i shërbejnë janë personat që kanë qenë përfitues të skemave të ndihmës ekonomike.
“Janë 560 familje të cilat kanë përfituar nga shërbimet e zyrave të punës dhe kanë të ardhura më të larta pikërisht pasi persona brenda këtyre familjeve kanë një vend pune, i cili është ndërmjetësuar nga zyrat e punës”, bëri të ditur Sorensen.
Sorensen, po ashtu theksoi se zyrat e punës do të angazhohen më tepër pranë bizneseve për identifikimin e vendeve të lira të punës.
Gjatë periudhës mars, prill, maj janë 23 682 vende pune të identifikuara pranë sektorit privat.
“Zyrat e e punës kanë një target për identifikimin e mbi 41 mijë vendeve të punës pranë sektorit privat gjatë 2018-s, ashtu si edhe për të ju përgjigjur atyre në lidhje me nevojat për forcat e punës.”, theksoi zv/ministrja.
Edhe bashkëpunimi me pushtetin vendor, sipas Sorensen, është i rëndësishëm për të mundësuar punësimin pranë sektorit privat.
/a.gjonaj/ /a.g/










