Ballina Ekonomi

FOTO/Transparenca dhe llogaridhënia për qytetarët, sfida e bashkive

TIRANË, 30 maj /ATSH/- 61 bashkitë e vendit po asistohen dhe mbështeten nga Projekti STAR2, (Konsolidim i Reformës Administrative-Territoriale ),  për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien për qytetarët, në përputhje me detyrimin ligjor për të Drejtën e Informimit.

Vlerësimi i situatës ekzistuese mbi transparencën dhe llogaridhënien në nivel vendor, i mbështetur nga STAR2 dhe i realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në fillim të 2018-tës, evidentoi se qeverisjes vendore i mungon një set treguesish matës të unifikuar që do të mundësonin vlerësimin dhe monitorimin e performancës së autoriteteve vendore në një dimension kaq thelbësor të demokracisë vendore.

Në këtë kuadër, projekti STAR 2 po zbaton një aktivitet me qëllim zbatimin e një Modeli standard të Programit të Transparencës dhe një Sistem Matje të Performancës së Transparencës dhe Llogaridhënies të përshtatur për qeverisjen vendore.

Partneri zbatues, IDM, tashmë ka zhvilluar një Model standard të Programit të Transparencës dhe një Sistem Matje të Performancës së Transparencës dhe Llogaridhënies që do të konsultohet në katër workshope rajonale me përfaqësuesit e të 61 bashkive dhe aktorë të tjerë të interesit.
Workshop-i i parë po zhvillohet në Lezhë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive të Shkodër, Lezhë,Kurbin, Mirditë dhe Pukë dhe përfaqësuesve të organizatave jo qeveritare nga këto bashki.

Në vijim të procesit të konsultimit, Modeli i Programit të Transparencës do të miratohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) dhe do të jetë i detyrueshëm për t’u zbatuar nga bashkitë.

STAR2 – Konsolidimi i Reformës Territoriale dhe Administrative – është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian, Suedia, Italia, Zvicra, USAID, UNDP dhe Qeveria e Shqipërisë në mbështetje të konsolidimit të njësive vendore të Shqipërisë. Partneri zbatues i projektit është Ministria e Puneve te Brendeshme. Projekti zbatohet nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri. e.xh/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBuffon akord me PSG, por pritet vendimi i UEFA
Artikulli tjetërShqipëria klimë të favorshme për investimet e huaja