Ballina Ekonomi

“Made together”, historia e madhe e miqësisë, bashkëpunimit dhe zhvillimit

TIRANË, 29 maj/ATSH/- “Made together”, solli sot në Tiranë historinë e madhe të miqësisë, bashkëpunimit dhe zhvillimit midis dy vendeve fqinje, që i bashkon jo vetëm deti, por edhe mbi 500 vjet histori emigrimi të shqiptarëve, që kanë ditur të integrohen e të ruajnë vlerat e traditat e tyre njëkohësisht.

Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo deklaroi sot në Tiranë se Shqipëria dhe Italia po rrisin bashkëpunimin me një vëmendje të veçantë në procesin e afrimit të Shqipërisë me Europën.

“Made together”, sipas ambasadorit italian, sjell në mënyrë efikase historinë e dy popujve, një histori që shkon përtej institucioneve, financimeve apo projekteve.

“Është një histori e dy popujve që nëpërmjet këtij deti takohen dhe përpiqen të bëjnë së bashku atë që mund të bëjnë më mirë. Dhe kjo ndodh nëpërmjet Cooperacionit Italian, por edhe në kuadrin e përgjithshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë”, theksoi Cutillo.

Kjo javë, vuri në dukje ai, është një javë në të cilën edhe duke festuar festën e Italisë jemi përpjekur të bashkojmë përbërës të ndryshëm përveç atyre të Cooperacionit edhe atë të kulturës, spektaklit, apo artit.

“Do të kemi koncertin e Ermal Metës, që është emblema e kësaj nisme. Është historia e një shtetasi shqiptar që mbërriti në Itali në moshë fare të vogël dhe ka arritur një sukses të madh përmes këngës e që do të rikthehet në Shqipëri për të ndarë historinë e tij me të gjithë ne. “Made together” ka këtë domethënie”, shtoi Cutillo.

“Made with Itali”, vijoi ai, do të jetë karakteristikë e disa produkteve shqiptare të arritura nëpërmjet bashkëpunimit Shqipëri-Itali dhe ky, sipas tij, është një tjetër hap i bashkëpunimit midis dy popujve tanë.

Ambasadori italian në vendin tonë, theksoi se një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës së përbashkët përbëhet nga komunitetet.

“Historikisht kemi pasur komunitete shqiptare që kanë emigruar në Itali mbi 500 vjet më herët dhe që mrekullisht kanë ruajtur identitetin e tyre dhe pse janë tërësisht shtetas italianë. Ndërsa vitet e fundit kanë emigruar më shumë se gjysmë milionë shtetas shqiptarë dhe pas shumë vështirësive të hasura në fillim, janë kthyer në pjesë të rëndësishme të Italisë, aq sa 250 mijë prej tyre kanë sot nënshtetësi të dyfishtë, pra janë nga të gjitha pikëpamjet një “Made together””, tha Cutillo.

Falë edhe këtyre programeve të reja që promovon Cooperacioni italian, sipas ambasadorit italian, synohet zhvillimi më tej i potencialeve të tyre në Itali dhe Shqipëri. Kjo sipas tij, edhe përmes organizatës ndërkombëtare të punësimit.

“Besoj se sot kemi shumë pr të festuar. Duhet të shohim pas me admirim e kënaqësi dhe të shikojmë përpara pritshmëritë, duke pasur parasysh projektet që rezervon Cooperacioni për të ardhmen , që do t’a shikojë Shqipërinë në Bashkimin Europian”, theksoi Cutillo.

/a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZbulohet emblema e Dukeshës Meghan Markle
Artikulli tjetërThaçi vizitë zyrtare në Austri, pritet nga kancelari Sebastian Kurz