KIEV, 26 maj /ATSH-AA/ – Reali i Madridit dhe Liverpooli do të përballen sonte në finalen për titullin e Ligës së Kampioneve të UEFA-s, në kryeqytetin ukrainas Kiev.
Reali ka fituar deri tani një rekord prej 12 titujsh të Ligës së Kampioneve dhe është në kërkim të titullit të tretë radhazi.
Liverpooli e ka fituar Ligën e Kampioneve në vitin 2005, duke mposhtur AC Milan me penallti pas një rikthimi emocionues nga 0-3 në 3-3, në Stamboll.
Klubi anglez ka fituar gjithsej pesë tituj kampioni në garën më prestigjioze të klubeve europiane.
Sulmuesi egjiptian i Liverpoolit, Mohamed Salah dhe braziliani Roberto Firmino do të përbëjnë rrezikun kryesor ofensiv për Real Madridin.
Salah ka shënuar 10 gola në 12 paraqitjet e Ligës së Kampioneve këtë sezon, po aq sa ka edhe Firmino.
Përveç kësaj, anësori senegalez Sadio Mane ka shënuar nëntë gola.
Ylli portugez i Realit, Cristiano Ronaldo, ka shënuar 15 gola në 12 ndeshje në Ligën e Kampioneve.
Ndërkohë, mbrojtësi spanjoll Dani Carvajal, 26 vjeç, pritet të humbasë finalen për shkak të lëndimit. Edhe paraqitja e mesfushorit Isco është gjithashtu e dyshimtë.
Te Liverpooli, anglezi Alex Oxlade-Chamberlain, mbrojtësi kamerunas Joel Matip dhe mbrojtësi anglez Joe Gomez vuajnë nga lëndimet.
Megjithatë, menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka thënë se mesfushori gjerman Emre Can, i cili ishte i lënduar, tani është i aftë për të luajtur në finale.
Ndeshja në Kiev do të fillojë në orën 20:45 dhe do të drejtohet nga gjyqtari serb Milorad Mazhiç./ a.jor.























