TIRANË, 25 maj /ATSH- I. Vata/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur keqardhjen për ndarjen nga jeta të akademikut, albanologut e gjuhëtarit të mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Kolec Topalli.
Presidenti Meta shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe familjarëve të Akademikut Topalli, dhe në këto çaste hidhërimi, gjendet shpirtërisht pranë tyre duke u lutur së bashku me ta që i ndjeri të gjejë prehjen e amëshuar.
“Shqipëria humbi një akademik e albanolog të shquar, por Prof. Dr. Kolec Topalli la pas një vepër të tërë mbi gjuhën shqipe dhe historikun e saj, e cila do të jetë gjithmonë në duart e studentëve dhe studiuesve të ndryshëm, duke e bërë të paharruar kujtimin dhe veprën e tij!”, shprehet Presidenti Meta.
Ruçi: Veprat e bëjnë akademikun Kolec Topalli të pavdekshëm
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi bëri homazhe dhe vendosi një kurorë në nderim të akademikut të shquar Kolec Topalli, i cili i nda nga jeta dje.
“Nderim e respekt akademikut të nderuar. Kolec Topalli ishte një akademik e gjuhëtar i shquar, shqiptarët i janë atij mirënjohës për veprat që krijoi, të cilat e bëjnë atë të pavdekshëm, u shpreh Ruçi.
Kryetari i kuvendit Ruçi ka vlerësuar lartë figurën e akademikut Kolec Topallit duke u shprehur se “Topalli ishte akademik e gjuhëtar i shquar. Shqiptarët do jenë mirënjohës Kolec Topallit. Veprat e bëjnë Topallin të pavdekshëm”./a.g/
























