TIRANË, 21 maj /ATSH- I. Vata/ – Dy deputetët e PD, Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji së bashku me këshilltarin ligjor Gazmend Bardhi janë thirrur sot në Prokurori për të dëshmuar në lidhje me audio-përgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm.
Pas daljes nga prokuroria, në një prononcim për mediat këshilltarin ligjor, Gazmend Bardhi u shpreh se “unë do të bashkëpunoj me prokurorinë sa herë të thirrem, por nuk mund të rri pa shprehur shqetësimin tim se Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka për detyrë për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e drogës nuk ka marrë në pyetje vëllain e ministrit të Brendshëm që është autori, por jemi marrë ne që denoncojmë rastin”.
Më tej, Bardhi shtoi se në pyetje duhet të merreshin edhe ministri i Brendshëm dhe kryeministri.
“Prandaj dhe thirrja ime publike ndaj organit të prokurorisë është që t’i fusë hetimet në drejtimi e duhur që i ngarkon ligji dhe drejtimi i duhur është të ndëshkohen individët e përfshirë në krimin e organizuar dhe individët të cilët bëjnë trafik droge”, tha ai.
I pyetur se ç’farë deklaruan në prokurori, Bardhi tha se “ne deklaruam për gjithçka u pyetëm dhe gjithçka kemi bërë publike me fakte dhe prova gjatë këtyre ditëve”.
Pas daljes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha se “Agron Xhafaj është i përfshirë në aktivitet të paligjshëm kriminal dhe është një nga bosë e drogës në Shqipëri”.
Lidhue me dëshminë e tij në prokurori, Salianji theksoi se “ne jemi pyetur dhe kemi dhënë të gjitha shpjegimet për këtë ngjarje, por prokuroria është e përfshirë më shumë në kallëzimin e rremë që ka bërë Agron Xhafaj se në kapjen e grupit kriminal.”
Salianji shprehu mosbesim përsa i përket hetimit nga prokuroria lidhur me ngjarjen. “Nuk kam besim te hetimi sepse prokuroria është 100% me qeverinë, por ne nuk mund të shmangim detyrimin ligjor për të shkuar në të gjitha organet e zbatimit të ligjit”, tha ai.
Në Prokurori duhej të dëshmonte edhe deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili nuk është paraqitur, pasi ishte i pranishëm në një aktivitet në kuadër të 45-vjetorit të revoltës së Spaçit.
Prokuroria i kishte thirrur të enjten e shkuar zyrtarët demokratë por për shkak të angazhimeve të tyre me seancën plenare, orari u shty.
/a.g/






















