Ballina Ekonomi

Tregjet e hapura vendimtare për Shqipërinë dhe rajonin

TIRANË, 15 maj /ATSH/- Guvernatori Gent Sejko thekson se, vendosja e ekonomisë globale në rrugën e rritjes së qëndrueshme është një përgjegjësi e përbashkët.

I pranishëm në takimin e 39-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit, Sejko theksoi se, “të gjithë ndajmë përfitimet e rritjes globale dhe së bashku duhet të ndajmë përgjegjësinë për të siguruar qëndrueshmërinë e saj.”

Ky takim u zhvillua në Bodrum të Turqisë dhe pjesëmarrës në të ishin drejtuesit e bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit, si dhe përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Europiane dhe Bankës për Rregullime Ndërkombëtare (BIS). Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya.

Gjatë punimeve të Klubit u diskutua mbi perspektivat ekonomike globale, rritjen e qëndrueshme globale, sfidat dhe mundësitë e bankave qendrore lidhur me monedhat dixhitale. Ky takim shërbeu si një platformë e shkëlqyer diskutimi ku përfaqësuesit e bankave qendrore patën mundësi të shkëmbenin idetë dhe eksperiencat e tyre lidhur me këto çështje.

Sejko ishte folësi kryesor i panelit me temë ”Rritja e qëndrueshme globale”. Ai mbajti një prezantim për të pranishmit, duke vlerësuar fillimisht rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla si një mundësi për të ndarë pikëpamjet e përvojat, si dhe për të vlerësuar përparimin e kryer dhe për të reflektuar mbi prioritetet në të ardhmen.

Guvernatori u shpreh se pas tejkalimit të krizës financiare, ekonomia globale po fiton ritëm. Ai shtoi se fokusi i vendeve ka qenë trajtimi i pasojave të krizës dhe nxitja e një rimëkëmbjeje sa më të shpejtë.

Guvernatori Sejko solli në vëmendje të pjesëmarrësve, disa faktorë rreziku që mund të ndikojnë në rritjen globale, të tillë si: divergjenca rreth tregtisë së lirë dhe globale; reformat strukturore; turbulencat e tregjeve financiare dhe stabiliteti gjeopolitik. Lidhur me divergjencën rreth tregtisë së lirë dhe globale, ai theksoi se tregjet e hapura lejojnë një alokim më efikas të resurseve dhe ofrojnë mundësi më të mira punësimi. Kjo është vendimtare për Shqipërinë dhe rajonin, i cili përbëhet nga një numër të madh ekonomish të vogla dhe të hapura.

Duke marrë si shembull ekonomitë e zhvilluara, për të cilat fokusi ka qenë në reformat strukturore për rregullimin e sistemit financiar dhe në qëndrueshmërinë e financave publike, ai shtoi se edhe vendet në zhvillim duhet të punojnë në të njëjtin drejtim.

Nga perspektiva e një vendi në zhvillim, siç është Shqipëria, ai u shpreh se më shumë mbetet për t’u bërë për të ulur nivelin e kredive me probleme, për të përmirësuar mbikëqyrjen e segmenteve jobankare të sistemit financiar dhe për të rritur elasticitetin e institucioneve financiare dhe tregjeve financiare.

Në përfundim, Guvernatori Sejko nënvizoi se korrigjimi i problemeve të së kaluarës dhe vendosja e ekonomisë globale në rrugën e rritjes së qëndrueshme është një përgjegjësi e përbashkët. Të gjithë ndajmë përfitimet e rritjes globale dhe së bashku duhet të ndajmë përgjegjësinë për të siguruar qëndrueshmërinë e saj.

Gjatë takimit të 39-të të Klubit, u zhvillua gjithashtu ceremonia e pranimit të anëtares më të re, Bankës Kombëtare të Hungarisë, në Klubin e Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.

Informacion mbi Klubin

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë 26: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia, Sllovenia, Bjellorusia dhe Hungaria. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit. /e.xh/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFrutat, aleatet e femrave për rini të përhershme
Artikulli tjetërSkënderbeu përgatitet për ceremoninë e titullit me bluzën e kampionit