PD akuza përsëri për vëllain e ministrit

TIRANË, 14 maj /ATSH- I. Vata/ – Në konferencë për mediet, dy deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji pohuan sot se Agron Xhafaj vazhdon të kryejë aktivitetin e tij kriminal edhe sot që është në detyrë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

“Janë tre fakte të rëndësishme se si Fatmir Xhafaj në detyrën e ministrit të Brendshëm, shkel ligjin duke penguar çdo veprim për ekstradimin e të vëllait. Agron Xhafaj nuk e vuan dënimin, nuk bën asnjë ditë burg, sepse Fatmir Xhafaj nuk përmbush përgjegjësitë ligjore të ministrit të Brendshëm, përgjegjësi të tilla si të verifikojë dhe të indentifikojë identitetin e Agron Xhafajt, të njoftojë autoritetet italiane për vendndodhjen e tij në Shqipëri. Ta arrestojë dhe ta burgosë atë”, – tha Alibeaj.

Në tjetër, argument sipas deputetit të PD-së Alibeaj është fakti se Fatmir Xhafaj në pozicionin e tij, si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, falsifikoi dokumentet zyrtare për të favorizuar të vëllain.

“Falsifikimi pamundësoi edhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri si i dënuar me vendim të formës së prerë, me 7 vjet e dy muaj burg për trafik ndërkombëtar droge dhe kështu nuk bën asnjë ditë burg”, – tha Alibeaj.

Më tej, Alibeaj tha se “ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton ligjin antimafia dhe pengon që ligji të veprojë ndaj tij. Aktiviteti kriminal i trafikut të drogës që ka kryer vëllai i ministrit të Brendshëm e bën atë subjekt të ligjit, vetë ministrin Fatmir Xhafaj”.

Ndërsa deputeti i PD-së Ervin Salianji, tha se ministri vazhdon të heshtë.

“Kanë kaluar 24 orë dhe Xhafaj nuk ka kthyer përgjigje, por zgjedh të heshtë, sepse vëllai i tij vazhdon aktivitetin kriminal dhe është një nga bosët më të fuqishëm të trafikut në Shqipëri”, – tha Ervin Salianji.

PD publikon një material audio, që sipas tyre, Agron Xhafaj vazhdon të kryejë aktivitetin e tij të trafikimit të drogës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.