RIAD – Arabia Saudite e gatshme për të rritur prodhimin e naftës bruto

RIAD, 9 maj /ATSH-AFP/ – Arabia Saudite, eksportuesja e parë në botë e naftës, deklaroi se do të marrë masat e nevojshme për të shmangur mungesat në furnizimin e naftës pas tërheqjes amerikane nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

‘’Mbretëria Saudite do të punojë me prodhuesit kryesorë të naftës si brenda dhe jashtë OPEC-ut, si dhe me konsumatorët kryesore, për të kufizuar impaktin e çdo lloj krize në furnizim’’, u shpreh dje në mbrëmje Ministria saudite e Energjisë në një deklaratë.

Kjo deklaratë saudite vjen disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se SHBA-ja do të tërhiqej nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin.

Trump ka miratuar gjithashtu sanksione amerikane ndaj Teheranit, gjë që mund të çojë në ulje të kapacitetit të Iranit për të eksportuar naftë bruto, burimin kryesor të të ardhurave në buxhet.

Përpara se sanksionet ndërkombëtare të hiqeshin në vijim të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, eksportet e naftës së Iranit do të rriteshin deri në një milion fuçi naftë në ditë, kryesisht drejt Azisë dhe disa shteteve të tjera europiane.

Prodhuesit kryesorë të naftës të vendeve anëtare dhe joanëtare të OPEC-ut, përfshirë Rusinë, prodhuesi i parë botëror, kanë nënshkruar një marrëveshje deri në fund të vitit për të ulur prodhimin deri në 1,8 milionë fuçi në ditë për të mbështetur çmimin e naftës.

Çmimi i naftës shënoi rritje të konsiderueshme pas njoftimit të Trump, me një rritje prej 2,4% të një fuçie nafte që vjen nga Deti i Veriut me destinacion tregun europian prej më shumë se 76,5 dollarë fuçie dhe çmimi i naftës bruto amerikane mbi 70 dollarë u regjistuan të mërkurën në mëngjes./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.