Ballina Aktualitet

Dita e Europës, 68 vite nga deklarata e Robert Schuman

TIRANE, 9 Maj/ATSH/- Sot, më 9 maj 2018, mbushen 68 vite nga dita kur Robert Shuman bëri deklaratën e famshme për krijimin e Komunitetit Evropian të Çelikut dhe Qymyrit.

Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj, që sot njihet me emrin Bashkimi Europian. Atë ditë në Paris, Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera europiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.

Ai propozoi krijimin e një institucioni evropian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 majin si “Dita e Evropës”.

Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Është mjaft domethënës fakti që për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane. Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike, u njësua me integrimin evropian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Europian në vitin 1990, të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Europian.
Europa për popullin shqiptar, është një prioritet që ka arritur të gjejë tashmë konsensus nga të gjitha forcat politike, sepse ata të ardhmen dhe zhvillimin e tyre e shohin si pjesë e familjes së madhe evropiane./a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKINEMA – Scorsese dhe Blanchett hapin Festivalin e 71-të të Kanës
Artikulli tjetërSOFT NEWS – ”Lumë”… çokollate në Poloni?