Ballina Kosova

“Shpella e Gadimes” hapet për vizitorët

PRISHTINË, 7 Maj/ATSH/.- Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës njoftoi sot se  Shpella e Gadimes është e hapur për vizitorët, pasi u rregullua defekti në sistemin elektrik  të ndriçimit në këtë monument të natyrës.

Përmes një njoftimi për shtyp, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, i kërkon falje të gjithë vizitorëve që kanë planifikuar të realizojnë vizita gjatë kësaj periudhe kohore dhe i njofton që sot e tutje Shpella e Gadimes do të jetë e hapur dhe e sigurt për të mirëpritur vizitorët e saj.

“Kërkojmë mirëkuptim nga të gjithë vizitorët për mbylljen e përkohshme të shpellës dhe njëherësh ju bëjmë me dije që kushtet brenda shpellës janë specifike dhe kërkojnë mirëmbajte të vazhdueshme të rrjetit elektrik në shpellë, prandaj mbyllja e përkohshme e shpellës në këto raste  është e paevitueshme”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Shpella e Gadimes në Lipjan, është një ndër më të bukurat jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan e më gjerë. Ajo ka një moshë 80 milionë vjeçare dhe është ndër më të vjetrat në botë. Me një gjatësi prej 1500 metra, ajo ndahet në 3 nivele: niveli nënujor, niveli i mesëm që është për vizitorë, dhe niveli i sipërm që është zbuluar, por që është i pakalueshëm për vizitorët.

Gjatë një viti kjo shpellë vizitohet nga 30 mijë turistë vendas e të huaj, të cilët mbeten të mahnitur nga forma e kristaleve që ndodhen brenda kësaj shpelle./KosovaPress/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDIHA: Shqipëria ofron mundësi më të mira për investim
Artikulli tjetërKonsumimi i çokollatës së zezë përmirëson dukshëm shikimin