Ballina Kryesore

Mbretëresha e këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha dekorohet nga Trump

TIRANË, 7 Maj/ATSH/.- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes”, mbretëreshën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit.

Në ceremoninë e organizuar për 85 vjetorin e artistes së madhe shqiptare në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga Shoqata RessEgnatia dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, familjarë, miq, artistë dhe artdashës.

“Mirë se ju gjeta. Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam. Nuk di kush është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju me mua”, u shpreh artistja e madhe.

Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj 1933, është një këngëtare dhe aktore shqiptare, e mbajtur si mbretëresha e muzikës shqiptare. Me një karrierë të ndritur Pagarusha është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSELANIK – Përleshje mes policisë dhe refugjatëve në një qendër pritjeje
Artikulli tjetërMbarëvajtja e sezonit turistik, Ministria apel bizneseve për sigurinë ushqimore