Ballina Lajme nga Vendi

FOTO/ Drenova e Asdrenit në “100 fshatrat”

KORÇË, 5 maj/ATSH-Maela Marini/ – Drenova paraqet një ofertë të pasur natyrore dhe kulturore për zhvillimin e disa formave të turizmit, duke iu shtuar paketave të ndryshme turistike të rajonit të Korçës.

Tendencat e reja turistike drejt turizmit rural, ekoturizmit, turizmit të aventurës dhe atij kulturor bëjnë të mundur përfshirjen e këtij rajoni në infrastrukturën turistike dhe kanë qenë ndër shtysat kryesore që e pozicionuan Drenovën në programin “100 fshatrat”.

E shquar edhe për burimet e saj natyrore, Drenova është pjesë e programit “100 fshatrat”, krahas Boboshticës, Voskopojës dhe Dardhës në Korçë.

Në një intervistë për ATSH-në, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo ndalet te projektet që janë propozuar për t’u përfshirë në listën prioritare të investimeve në këtë zonë.

Drenova sipas tij, “ka një sërë monumentesh natyrore që e bëjnë atë mjaft atraktive për këtë lloj turizmi”.

Ne synojmë, tha Filo, përmirësimin dhe ndërhyrje në infrastrukturën rrugore për të lehtësuar komunikimin me atraksionet natyrore.

Po ashtu, Filo tha se, do të inkurajohen sipërmarrësit vendas dhe operatorët për të organizuar ekskursione në zonat turistike, kryesisht vizita tek monumentet natyrore.

Rigjenerimi i Parkut Kombëtar “Bredhi i Drenovës”, si dhe rimodelimi i Sheshit Asdreni në qendër të fshatit Drenovë, janë dy prej ndërhyrjeve kryesore që parashikohet të ndërmerren, sqaroi Filo për ATSH-në.

Po ashtu, Filo theksoi se “do të bëhet edhe sistemimi i infrastrukturës së rrugëve dytësore të fshatit Drenovë dhe shtrimi me kalldrëm i tyre, si dhe sistemimi dhe asfaltimi i rrugës Korçë – Drenovë”.

Në kuadër të programit “100 fshtarat” do të bëhet edhe rinovimi i fasadave të pallateve në hyrje të fshatit Drenovë, si dhe rikonstruksioni i objektit polifunksional në qendër të fshatit, ku përfshihet ish-Vatra e Kulturës, Qendra Shëndetësore, qendra e moshës së tretë, Muzeu Asdreni.

“Sistemimi i ujërave të larta (pritave për ujërat që rrjedhin nga mali); rikonstruksioni i rrjetit të Ujësjellësit; ndërtimi i rrjetit KUZ dhe rikonstruksioni i rrjetit të furnizimit me energji elektrike”, janë disa ndërhyrje të tjera që do të ndëmerren në Drenovë.

Po ashtu, sipas Filos, do të bëhet përmirësimi i aksesit dhe vendosja e sinjalistikës turistike për monumentet e natyrës dhe të kulturës.

Promovimi i produkteve dhe ushqimeve tradicionale, i artizanatit dhe festave të zonës, si dhe krijimi i një qendre agropërpunuese janë disa prej ndërhyrjeve të tjera të propozuara nga Bashkia e Korçës në kuadër të programit “100 fshatrat”.

Drenova, traditë dhe kulturë

Drenova zë një sipërfaqe prej 93.4 km2 dhe në të janë të regjistruar rreth 2200 banorë, prej të cilëve rreth 700 janë rezidentë. E ndodhur fare pranë qytetit të Korçës, ajo është lehtësisht e aksesueshme për vizitorët vendas dhe të huaj.

Drenova dallohet për tradita të hershme dhe kostumet karakeristike, për punimin e drurit, etj. Me një trashëgimi të pasur etnografike dhe shpirtërore, Drenova spikat për vallet tradicionale dhe kostumet popullore.

Ushqimet bio si pastërmaja, lakrori i pjekur në saç, etj, si dhe rakia e kumbullës së egër dhe rakia e manit janë disa prej specialiteteve të zonës.

Drenova është vendlindja e autorit të Himnit Kombëtar, Asdrenit. Muzeu “Asdreni”, ku ndodhen dokumenta të vjetra dhe fotografi, që dëshmojnë pjesë të rëndësishme të historisë së letrave dhe të lëvizjeve patriotike për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit në këtë zonë është një tjetër atraksion historik i këtij fshati.

Në Drenovë ndodhen objekte kulti, të cilat në ditë të caktuara të vitit vizitohen në masë nga qytetarët e Korçës. Fare pranë, në fshatin Mborje, ndodhet Kisha e Ristozit, e ndërtuar në vitin 1390.

Ndër Monumentet Natyre të kësaj zone janë Parku Kombëtar “Bredhi i Drenovës”, Guri i Capit, Pisha e Shëndëllisë etj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDita e Dëshmorëve, homazhe te memoriali “Nënë Shqipëri”
Artikulli tjetërRestaurohen ikonat “Hyrja në Jeruzalem” dhe “Profeti Ilia” në Berat