Ballina Kosova

Italia do të mbështesë Kosovën në liberalizimin e vizave

PRISHTINË, 2 Maj/ATSH/.- Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli po qëndron në një vizitë zyrtare në Itali ku u takua me homologun e tij Angelino Alfano, i cili premtoi se Italia do të mbështesë Kosovën për liberalizimin e vizave, sepse ky është një hap para drejt Europës.

Në takim Pacolli dhe Alfano diskutuan për nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe , liberalizimin e vizave dhe samitet e ardhshme Bashkim Europian-Ballkan Perëndimor, si dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës (shtimi i njohjeve, anëtarësimi në Interpol, etj).

Ministri Alfano u angazhua për mbështetjen italiane në gjirin e organizatave ndërkombëtare, për shtimin e njohjeve në pellgjet gjeografike ku Italia ka ndikim, si dhe për rritjen e investimeve italiane në Kosovë.

Ministri Pacolli, e njohu bashkëbiseduesin e tij me zhvillimet e fundit në Kosovë në planin rajonal, për bisedimet me Serbinë dhe disa prej prioriteteve në të cilat Kosova ka nevojë për mbështetjen italiane.

Gjithashtu Pacolli e informoi me angazhimin e Kosovës për jetësimin e marrëveshjeve të nënshkruara në bisedimet e Brukselit me Serbinë. “Këto bisedime duhet të përfundojnë vitin tjetër, me një marrëveshje detyruese mes palëve”, u shpreh shefi i diplomacisë kosovare.

“Ne kemi interes për të ecur së bashku me Italinë, duam të jemi nxënës të mirë për këshillat e një vendi si juaji,  prej nga vijnë rrënjët e Europës së bashkuar”, tha Pacolli./Kosovapress/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakParandalohet një tentativë arratisjeje në burgun e Fushë-Krujës
Artikulli tjetërLSI: Integrimi qasje kombëtare, reflektim që të hapen negociatat në qershor