Ballina Aktualitet

Deklaratë për media e deputetit Enkelejd Alibeaj

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Deputeti demokrat Enkelej Alibeaj denoncoi sot, një kapje tjetër të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria për në brigjet e Italisë,

Ai tha se është një provë e fortë e lidhjes së qeverisë me trafikun e drogës.

Gomonia me 2.5 tonë Canabis Sativa ka kaluar nën hundën e policisë shqiptare dhe para syve të radarëve, për t’u kapur vetëm nga autoritetet italiane të cilët prej kohësh janë në gatishmëri të plotë dhe në gjendje alarmi nga droga shqiptare.

Kjo është e disata herë që brenda pak kohësh mjetet lundruese të nisura nga Shqipëria, nisen me tonelata drogë drejt Italisë dhe kapen nga Guardia di Financa duke sfiduar policinë dhe radarët shqiptarë.

Dhe në fakt nuk ka si ndodh ndryshe, kur vendi qeveriset nga një kryeministër, vëllai i të cilit është i përfshirë direkt në trafikun e kokainës.

Kjo ndodh në vendin ku vëllai i ministrit të Brendshëm është i dënuar në Itali për trafik droge, por mbrohet nga qeveria dhe nuk ekstradohet për t’u përballur me drejtësinë e vendit fqinj.

Gomonia me 2.5 tonë drogë kalon pa u ndalur nga askush, pasi ish-ministri i Brendshëm dhe e gjithë kupola e Policisë së Shtetit u vu në shërbim të kushërinjve Habilaj dhe ndihmonte avionët me Canabis Sativa të fluturonin të mbrojtur nga qeveria drejt Europës dhe sot janë të lirë, ose të arratisur.

Kjo ndodh sepse ish-ministri i kapur në trafik droge, mbrohet me forcën e kartonit nga Rilindja dhe nuk i dorëzohet drejtësisë.

Ndërkohë që policia dhe prokuroria ende nuk kanë zbardhur të vërtetën e kokainës së Maminasit, dhe nuk kanë vënë në pranga asnjë prej pronarëve të vërtetë të 613 kg kokainë me vlerë 180 milionë euro, një tjetër sasi rekord kokaine është kapur në Spanjë.

Ndërsa Europa mbarë jep alarmin dhe i kërkon qeverisë të ndalë lumin e drogës shqiptare dhe kur Departamenti i Shtetit na etiketon si vend tranzit i kokainës kolumbiane, qeveria shqiptare mbron Olsin, Agronin apo Saimirin të kapur në flagrancë si kokat e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Policia mbyll sytë para 2.5 tonëve drogë dhe mbron vëllezërit!

Qeveria bëhet e verbër dhe nuk e sheh detin me drogë, sepse Kryeministri Edi Rama është vetë koka e triadës së trafikut të drogës dhe krimit në Shqipëri. /m.z//r.e/

​

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Nga më i gjati te më i shkurtri në Vetting
Artikulli tjetërTakime sensibilizuese në Lurë, për moskultivim të bimëve narkotike