TIRANË, 27 prill/ATSH/- Për të shtuar hapësirat e gjelbëruara në qytet dhe periferi të saj, Bashkia e Peqinit ka ndërmarrë nismën më të re “Mbill pemën tënde”.
Në sajë të nismës të ndërmarrë së fundmi, punonjësit e bashkisë Peqin kontribuan sot në mbjelljen e 50 pemëve të reja në rrugën hyrëse të qytetit.
Bashkia do të vazhdojë të mbjellë pemë, si përpjekje për të sensibilizuar qytetarët dhe çdo biznes që të kontribuojë për një qytet më të gjelbër dhe më të pastër. Po kështu, institucioni vendor fton çdo qytetar apo biznes që dëshiron t’i dhurojnë qytetit një pemë, si një mënyrë i ka lënë një trashëgimi me vlerë fëmijëve të tyre.
Deri në mes të muajit maj, bashkia e Peqinit në bashkëpunim me institucionet shtetërore vendore dhe kontributin e punonjësve ka parashikuar të mbjellë mbi 500 pemë, ndërsa fton çdokënd që kërkon të festojë ndonjë përvjetor, ditëlindje, miqësi etj., për të kontribuar në mënyrë simbole për festat e tyre, por edhe për një kontribut të çmuar për një ambient më të gjelbëruar dhe ajër të pastër në qytet.
z.tosku/ /a.g/




























