Status i veçantë për Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”

TIRANË, 26 prill /ATSH/ – Qeveria ka miratuar sot riorganizimin e shkollës së lartë jopublike “Marubi” në Akademi të Filmit dhe Multimedias “Marubi” dhe dhënien e statusit të veçantë këtij institucioni të arsimit të lartë.

Sipas vendimit të qeverisë Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” është institucion jopublik i arsimit të lartë, i profilizuar, me veprimtari akademike specifike, që lidhet ngushtë me organizimin dhe zhvillimin e procesit mësimor, krijues e artistik e që shoqërohet me produktin artistik në fushën e kinematografisë dhe multimedias.

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, si institucion i arsimit të lartë, që zhvillon veprimtari akademike, krijuese dhe profesionale në fushën e filmit dhe të multimedias, gëzon status të veçantë, duke mos iu nënshtruar kritereve të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, lidhur me strukturën institucionale të Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, e cila organizohet në Fakultetin e Filmit dhe Medias, të përbërë, departamenti i Regjisë dhe Skenarit;
ii. Departamenti i Kameras dhe Montazhit, njësia e produksioneve.

Hapja e departamenteve të tjera specifike dhe periodike kryhet në bazë të nevojave të kësaj akademie, me miratim të ministrisë përgjegjëse për arsimin.

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” administrohet nga shtëpia kinematografike “Orafilm”.

Organet dhe autoritetet drejtuese akademike dhe administrative të Akademisë janë Këshilli akademik; Drejtori i AFMM-së; Drejtori i produksioneve; Drejtori administrativ; Këshilli studentor.

Personeli akademik i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” përbëhet nga specialistë të fushës audiovizuale, specialistë në fushën e kinematografisë dhe medias së shkruar dhe televizive; Specialistë të arteve figurative; Specialistë dhe historianë të artit dhe kulturës; Specialistë të huaj të shkollave homologe ose individë të huaj të fushës së artit dhe kinematografisë.

Diplomat që lëshon Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” nënshkruhen nga drejtori i AFMM-së dhe përgjegjësi i departamentit. Në përfundim të studimeve, sipas fushës së arsimimit të kryer, lëshohen diplomat, “Bachelor” në film dhe media, profili “Regjisurë”;
“Bachelor” në film dhe media, profili “Kamera”; “Bachelor” në film dhe media, profili “Skenar”; “Bachelor” në film dhe media, profili “Montazh”.

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” ofron programe studimi të ciklit të parë, të cilat synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike, sipas drejtimeve: regji, montazh, skenar e kamera. Programet e studimeve realizohen me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 (tri) vite akademike. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” u ofron studentëve mundësinë e studimeve kualifikuese “Master” në institucione homologe me të cilat Akademia ka lidhur marrëveshje.

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” duhet t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit dhe akreditimit institucional të programeve të studimit, si dhe të zbatimit të ligjshmërisë, sipas legjislacionit në fuqi.

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, për realizimin e veprimtarisë së saj, bashkëpunon me institucionet e arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit, organizmat ndërkombëtarë dhe institucionet homologe të huaja, si dhe organizatat e tjera në fushën e filmit dhe multimedias.

Statuti i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin mbi bazën e statusit të veçantë të dhënë me këtë vendim dhe sipas marrëveshjes së lidhur me ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, për personelin akademik me kohë të plotë, në njësitë bazë.

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” arkivon pasurinë e krijuar si produkt artistik pranë Arkivit Shtetëror të Filmit, ndërsa dokumentacionin ligjor, në Arkivin e Shtetit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për kinematografinë dhe arkivat.

/gj.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.