FUTBOLL – Turqia e gatshme për Euro2024

ANKARA, 26 prill /ATSH-AA/ – Turqia është e gatshme të mikpresë Kampionatin Evropian të Futbollit të vitit 2024 (Euro2024).

Federata turke e Futbollit (TFF) është përgatitur t’i dorëzojë UEFA-s dosjen zyrtare për kandidaturën për organizimin e Euro2024.

Në mesin e stadiumeve të Turqisë gjenden stadiumi ”Turk Telekom”, ku luan ”Galatasaray”, stadiumi i Bursës, ku luan ”Bursaspor”, stadiumi ”Senol Gunes” në qytetin e Trabzonit, Stadiumi i ri në Kocaeli, stadiumi i Antalyas, stadiumi i Gaziantepit, stadiumi i ri i Eskisehirit, stadiumi i Konyas si dhe stadiumi olimpik ”Ataturk”.

Pritet që së shpejti të përfundojë edhe stadiumi i ri që do të ndërtohet në Ankara.

Ndërkohë, rival i Turqisë për organizimin e kampionatit është Gjermania.

Vendimi mbi atë se kush do të jetë organizator do të merret nga Bordi Ekzekutiv i UEFA-së në shtator të këtij viti./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.