Ballina Ekonomi

Ulet me 4.6% numri i aksidenteve

TIRANË, 23 prill /ATSH/- Numri i aksidenteve rrugore dhe personave të aksidentuar kanë shënuar një rënie gjatë tremujorit të parë të vitit 2018.

Po ashtu, në rënie është evidentuar edhe numri i personave që kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe.

Sipas INSTAT në tremujorin e parë 2018 numërohen 370 aksidente rrugore, nga 388 krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 4.6%.

Ndërkohë, gjatë muajit mars kanë ndodhur 123 aksidente rrugore, nga 152 të ndodhura gjatë marsit të vitit 2017.

Lidhur me numrin e të aksidentuarve, sipas INSTAT për këtë tremujor, numri i tyre shkon në 483, duke ulur 8.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, numri i të vdekurve për këtë periudhë është 47. 14.5% më pak, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë Marsit të këtij viti janë aksidentuar 160 persona, që krahasuar me po të njejtën periudhë të një viti më parë, e cila numëronte 213, ka shënuar një rënie me 24.9%.

Lidhur me shkaqet e aksidenteve rrugore, sipas INSTAT vihet re rritja e numrit të tyre për shkak të sjelljes së këmbësorëve. Këta të fundit kanë shkaktuar edhe 21.6% të aksidenteve, duke shënuar një rritje me 12.7% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa, evidentohet në rënie me 8.5% numri i aksidenteve të ndodhura si rrjedhojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, që gjatë kësaj periudhe numëron 290 raste, nga 317 të ndodhura në periudhën janar-mars 2017.

Lidhur me grupmoshën që ka shkaktuar edhe numrin më të lartë të aksidenteve gjatë periudhës janar-mars 2018, rezulton 25 deri në 35 vjeç, ndjekur nga grupmosha 76 vjeç.

Numri më i lartë i aksidenteve të ndodhura në këtë tremujor rezulton në qarkun e Tiranës, ku evidentohet një rritje e lehtë e rasteve të ndodhura, krahasuar me të njejtën periudhë të 2017. Ndërsa, numri më i ulët rezulton në qarkun e Kukësit, me vetëm katër aksidente të ndodhura gjatë kësaj periudhe. e.xh/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJENEVË – OKB në alarm për kërcënimin në rritje të përdorimit të armëve bërthamore
Artikulli tjetërBushati vizitë zyrtare në New York