PRISHTINË, 22 prill/ATSH/.- Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka dënuar sulmin në një qendër Qendër Regjistrimi të Votuesve në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.
“Jam i trishtuar dhe e dënoj me fjalët më të ashpra sulmin vetëvrasës ndaj turmës së njerëzve, përderisa ata po prisnin për t’u regjistruar për votim, sulm ky, që sipas raportimeve të para mori jetën e më shumë se 31 njerëzve dhe la të plagosur më shumë se 50 të tjerë”, thekson Pacolli.
Zv/kryeministri Pacolli i shpreh familjarëve të viktimave ngushëllimet më të sinqerta, ndërsa të plagosurve shërim sa më të shpejtë.
“Ky ishte një sulm kundër vendosjes së demokracisë, si vlerë e çmuar e qeverisjes përmes votës së lirë. Kosova mbetet e vendosur në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit dhe do të punojë fuqishëm me shtetet aleate dhe partnere për ta parandaluar atë”, tha Pacolli. /k.s/























