Ballina Kryesore

Ekspozita ‘Fokus’ në COD, magjia e natyrës nga Ernest Baba

Ekspozita 'Fokus' në COD, magjia e natyrës nga Ernest Baba

Ekspozita 'Fokus' në COD, magjia e natyrës nga Ernest Babahttps://ata.gov.al/2018/04/19/ekspozita-fokus-ne-cod-magjia-e-natyres-nga-ernest-baba/Me iniciativën e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, në hapjen e kësaj ekspozite publiku po admiron fotografitë e Nesti Babës, një njohës shumë i mirë i historisë së fotografisë dhe një mjeshtër i laboratorit dhe i stampimit në dhomën e errët. "ATSH-ja pati iniciativën për hapjen e kësaj ekspozite për të vlerësuar një nga fotografët që i përket një plejade shumë të mirë si teknikisht dhe artistikisht. Mendoj se është një ekspozitë shumë e mirë e cila përmban 38 fotografi ku janë prezantuar disa nga fotografitë më të spikatura", shprehet kuratori Genti Gjikola.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 19.04.2018

 

TIRANE, 19 Prill /A.Alla ATSH/ – Ekspozita ”Fokus” e fotografit Ernest Baba ka zgjuar interesin e vizitorëve këto ditë në Qendrën e Hapjes për Dialog (COD) në kryeministri.

Me iniciativën e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, në hapjen e kësaj ekspozite publiku po admiron fotografitë e Nesti Babës, një njohës shumë i mirë i historisë së fotografisë dhe një mjeshtër i laboratorit dhe i stampimit në dhomën e errët.

Në ekspozitën e cila do të vazhdojë të qëndrojë e hapur deri në fund të këtij muaji, janë ekspozuar një pjesë e fotove të tij bardh e zi, portrete, por edhe fotografi nga natyra e bukur shqiptare.

Genti Gjikola, kuratori i ekspozitës në një prononcim për ATSH-në u shpreh se kjo ekspozitë përbën udhëtimin artistik të Ernest Babës në ATSH.

”Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në fund të këtij muaji. ATSH-ja pati iniciativën për hapjen e kësaj ekspozite për të vlerësuar një nga fotografët që i përket një plejade shumë të mirë, si teknikisht dhe artistikisht. Mendoj se është një ekspozitë shumë e mirë, e cila përmban 38 fotografi ku janë prezantuar disa nga fotografitë më të spikatura. Kjo përzgjedhje është bërë në bashkëpunim me ATSH-në për të treguar udhëtimin artistik të Ernest Babës si fotograf i ATSH-së”.

Më tej ai shtoi se ”Nesti shquhet si një mjeshtër i momentit dhe si një fotograf shumë sensibël karshi tonalitetit të dritës dhe diapazonit të pamjes dhe panoramës natyrore. Kjo ekspozitë është ndarë në disa mini zona ku tregohet magjia e peizazhit urban dhe natyral por dhe situata të cilat përfshin figurën njerëzore në peizazhin urban si në atë të ndërtuar dhe atë natyral”, u shpreh kuratori Gjikola.

Nga ana e tij fotografi Ernest Baba tregoi pasionin e tij për fotografinë.
“Pasioni për fotografitë ka nisur që në moshë të vogël, pasi isha shumë kurioz për fotografinë dhe nisa të gërmoj në drejtim të kësaj fushe duke krijuar dhe një mini laborator personal. Pavarësisht vështirësive ai laborator mu duk si magji. Laboratori i ATSH-së ishte një shkollë për mua me një staf dhe laborantë shumë të përgatitur”, tha fotografi Baba.

”Për mua si fotograf stina më e preferuar është vjeshta, ku dhe fotografitë më të shumta i kam bërë në këtë periudhë, pasi vjeshta ka ngjyra dhe më ofron një qetësi”, u shpreh ai.
Si një artist i kompletuar Ernest Baba u shpreh për brezin e ri të fotografëve se, ”janë të përgatitur dhe kanë një vizion tjetër akoma më të bukur. Unë i inkurajoj, por gjithmonë duhet të kenë një gjë parasysh, atë që quhet trekëndëshi i fotografisë syrin, mendjen dhe shpirtin. Po qenë këto, fotografia bëhet”, tha Ernest Baba.

Dy fjalë mbi jetën e Ernestit 

Ernest Baba është një prej punonjësve më të vjetër të agjencisë zyrtare të lajmeve në vend, i cili e ka nisur punën në këtë institucion 4 dekada më parë. Nesti Baba ka punuar me pasion, në sektorin e arkivës si editues i fotografisë.
Falë këtij angazhimi të pandërprerë dhe si një pasues i brezit të mrekullueshëm të historisë së këtij institucioni mediatik, sot arkivi i ATSH-së është i pasur me foto, të cilat pasqyrojnë periudha të ndryshme të Shqipërisë në shumë fusha dhe ngjarje kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nëpërmjet duarve të tij kanë dalë qindra ekspozita të përdorura nga shumë institucione kombëtare dhe ndërkombëtare./a.f/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNga jugu në veri, vijon aksioni “Pastrojmë Tokën që duam” edhe në Lezhë
Artikulli tjetërSHBA – Trump: Nëse takimi me Kim i pafrytshëm do të tërhiqem