UASHINGTON, 18 prill /ATSH-AFP/ – Barbara Bush, bashkëshortja e ish-presidentit amerikan, George H. W. Bush dhe mamaja e ish-presidentit, George W. Bush vdiq sot në moshën 92-vjeçare, sipas një komunikate të publikuar nga zëdhënësi i bashkëshortit të saj.
“Barbara Bush vdiq të martën më 17 prill 2018 në moshën 92-vjeçare”, thekson komunikata e postuar në Twitter nga Jim McGrath, i cili bëri të ditur se ajo kishte vendosur të mos kërkonte trajtim mjekësor shtesë.
“Pas një sërë problemesh shëndetësore dhe pasi ishte konsultuar me familjen dhe mjekët, Bush, 92 vjeçe, kishte vendosur të mos vazhdonte trajtimin mjekësor”, njoftoi ai.
“Detajet përsa i përket ceremonisë mortore do të bëhen të ditura në orët në vijim”, theksoi zëdhënësi duke kujtuar se Barbara Bush kishte lënë pas bashkëshortin, pesë fëmijët, 17 nipërit dhe shtatë stërnipërit.
Presidenti, Donald Trump përshëndeti në një komunikatë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë kujtimin e Barbara Bush duke i bërë homazhe për devotshmërinë solide për vendin dhe familjen.
Në nder të Barbara Bush, Donald Trump urdhëroi që flamujt amerikanë të vendoseshin në gjysmë shtizë./ /ec/ a.jor.























