BIZNESI PYET – TATIMET PËRGJIGJEN
BIZNESI PYET – TATIMET PËRGJIGJENhttps://ata.gov.al/2018/04/13/biznesi-pyet-tatimet-pergjigjen/Një përfaqësues i një mini marketi në një prononcim për ATSH-në thotë se përfshirja në skemë ka një farë kosto, pasi kontabilisti për të mbyllur inventarin kërkon një pagesë prej 5 mijë lekësh në muaj.Nëndrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Xhavit Curri në përgjigje të këtij biznesi deklaron se "Administrata tatimore ka bërë përpjekje maksimale që deklarimi të jetë sa më i thjeshtë".
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 13.04.2018
TIRANË, 13 prill /ATSH/- Biznesi i vogël i fashës 2-5 milionë lekë, që për herë të parë nga data 1 prill u përfshi në skemën e TVSH-së, e sheh të vështirë dhe me kosto plotësimin e deklaratës, por edhe inventarët.
Një përfaqësues i një minimarketi duke u shprehur për ATSH-në thotë se përfshirja në skemë ka një farë kostoje, pasi kontabilisti për të mbyllur inventarin kërkon një pagesë prej 5 mijë lekësh në muaj.
Ai shprehet se duhej dialoguar me biznesin dhe gjetur në një skemë më të thjeshtë.
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Xhavit Curri në përgjigje të këtij biznesi shprehet se deklarata tatimore që tatimpaguesi duhet të plotësojë nuk është e pamundur të plotësohet.
“Administrata tatimore ka bërë përpjekje maksimale që deklarimi të jetë sa më i thjeshtë. Sigurisht do të ketë tatimpagues që nuk do të mund t’a plotësojnë vetë këtë deklaratë dhe do të duhet që ekonomisti i tyre, apo kontabilisti i tyre të plotësojë deklaratën tremujore të TVSH-së dhe kjo ka një kosto minimale”, shprehet ai.
Administrata tatimore, sipas Currit, ka marrë të gjitha masat e duhura teknike dhe organizative për përfshirjen e tatimpaguesve të biznesit të vogël të fashës 2-5 milionë lekë në këtë skemë.
Sipas tij janë bërë të gjitha përpjekjet e mundura për të informuar çdo tatimpagues. Njëkohësisht thotë ai, janë kryer trajnime qoftë me tatimpaguesit, qoftë me këshilltarët e tyre fiskalë. Po ashtu, thekson ai, është hapur këndi i asistencës i kushtuar për bizneset e vogla pranë drejtorive rajonale. /a.gjonaj/ /a.fortuzi/ /a.g/






















