TIRANË, 9 Prill / ATSH-N.Lena/ – Turizmi i vëzhgimit të natyrës dhe i shpendëve, tashmë mund të quhet i konfirmuar në Parkun Kombëtar të Divjakës.
Ky park u vizitua nga rreth 20 turistë nga Anglia, të pasionuar ndaj vëzhgimit të shpendëve ujorë.
Fillimisht ata u pritën në Qendrën e Pritjes së Vizitorëve në hyrje të parkut ku nëpërmjet stafit drejtues të turistëve u njohën me florën dhe faunën vendase.
Më tej, specialisti i këtij parku Ervin Allushi, i drejtoj anglezët të sodisnin nga afër folezimin e Pelikanit Kaçurrel në ishullin e tyre të mbrojtur.
Guidatorët vendas i shoqëruan vizitorët deri në kufirin e lejuar të vëzhgimit dhe i pajisen me dylbi të posaçme për të parë nga afër shpendët ujorë në jetën e tyre të egër.
“Ruajtja dhe mirëmbajtja e Parkut, do të rrisë më shumë turizmin e vëzhgimit që tashmë është kthyer në destinacion turistik për zonën”, thotë për ATSH specialisti Ervin Allushi.
Spektakli që japin flamingot dhe pelikanët në kohën e ushqimit të tyre duke gjuajtur në kënetë, i befasoi turistët e largët. /a.g/





























