Ballina Shëndetësi

Arsyet pse duhet të përdorim biçikletën në jetën e përditshme

TIRANË, 6 Prill /ATSH/ – Përdorimi i biçikletës është padyshim një nga metodat më ekonomike dhe të shëndetshme për të qarkulluar në rrugë.

Përdorimi i këtij mjeti, sa ekonomik aq edhe i dobishëm, na bën mirë të gjithëve dhe ka disa avantazhe: është një aktivitet fizik i moderuar, i dobishëm për shëndetin dhe mjedisin; zvogëlon rrezikun ndaj sëmundjeve të zemrës, infarkteve dhe diabetin e tipit dy; ul prevalencën e obezitetit; ruan dhe rrit forcën, përkulshmërinë, rezistencën dhe densitetin e kockave.

Gjithashtu, përdorimi i biçikletës zvogëlon rrezikun e rrëzimeve në moshën e tretë; përmirëson shëndetin mendor dhe humorin, lehtëson simptomat e depresionit, si stres dhe ankth, rrit masën muskulore; forcon muskujt duke zvogëluar mundësinë e një rrëzimi, forcon strukturën kockore në tërësi dhe ndihmon për të qenë më të fortë fizikisht; zhvillon aftësitë e fëmijëve për t’u socializuar, krijon një imazh vetjak pozitiv te gratë, vetëvlerësim te fëmijët dhe të rriturit, si dhe përmirëson cilësinë e jetës.

Tashmë është e vërtetuar se aktiviteti fizik pasohet me sjellje të shëndetshme, si ushqyerja shëndetshëm dhe mospirja e duhanit, dhe mund të përdoret për të arritur ndryshime të tjera të sjelljes në lidhje me shëndetin.

Përhapja e përdorimit të biçikletës, e cila është shumë e dobishme si në aspektin mjedisor e shëndetësor, ashtu edhe në aspektin social, është mjaft e rëndësishme për një mjedis dhe shoqëri më të mirë për të jetuar. /e.malaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakThaçi: Komuniteti rom të përfshihet në të gjitha fushat shoqërore
Artikulli tjetërMiqtë me katër këmbë tani me llogari bankare