Alergjitë stinore dhe kujdesi që duhet treguar

TIRANE, 6 Prill /ATSH/ -Me ardhje e stinës së  pranverës që lulëzojnë bimët, ndodh një fenomen natyral, ku re të padukshme të poleneve ndjekin rrymat e ajrit dhe përhapen në atmosferë.

Bimët janë përgjegjëse për alergjitë ndaj poleneve, dhe alergjitë janë të ndryshme pasi ne kemi një shumëllojshmëri bimësh. Edhe pse bimët alergjike janë të përhapura më shumë në zonat rurale sesa në ato urbane, polenet prekin më shumë njerëzit që jetojnë në qendrat e qyteteve, aty ku trafiku i makinave është shumë i madh.

Polenet mund të depozitohen nga pak kudo, madje edhe në mukozën e konjuktivës, në hundë dhe në mushkëritë e personave të cilët jetojnë në këto mjedise.

Individët të cilët bëhen të ndjeshëm ndaj proteinave alergjike të lëshuara nga polenet reagojnë me simptoma klinike.

Sipas Instituti të Shëndetit Publik riniti alergjik (me ose pa konjuktivit) prek 60% të popullatës në Europë, nga të cilët 15%-20% vuajnë një formë të rëndë të sëmundjes.

Vlerësohet se astma alergjike prek 5%-12% të popullatës në Europë.

Mënyra më e mirë për të parandaluar alergjitë është të shmanget kontakti me lëndët apo substancat alergjike, por në rastin e alergjive stinore, të cilat janë kryesisht nga polenet, është e vështirë të evitohet kontakti, pasi kjo kërkon qëndrimin larg ambienteve të hapura në periudhën e përhapjes së poleneve, mbajtjen mbyllur të dritareve, përdorimin e filtrave të ajrit, etj.

Simptomat mund të zbuten nëpërmjet marrjes së medikamenteve të rekomanduara gjithmonë nga mjeku.

Në momentin që shfaqen simptomat e një alergjie respiratore, fillimisht duhet shkuar te mjeku apo specialisti për të vendosur saktë diagnozën dhe për të identifikuar alergjenin (ose alergjenet) ndaj të cilit ju jeni të ndjeshëm, në mënyrë që të përcaktohet saktë terapia dhe masat e nevojshme parandaluese përpara fillimit të stinës së poleneve (pranverës).

Si mënyrë parandaluese mund të sugjerohet klima detare, pasi në këto vende përqendrimi atmosferik i poleneve është relativisht i ulët. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.