PRISHTINË, 4 Prill/ATSH/.- Presidenti Hashim Thaçi, ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, ku u diskutua për arritjet dhe sfidat në dekadën e parë të shtetësisë së Kosovës.
Gjatë fjalës së tij, Thaçi bëri një bilanc të dhjetë vjetëve shtet, përgjatë të cilëve Republika e Kosovës ka marrë një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.
Ai theksoi se në këtë periudhë ka pasur sfida në zbatim të legjislacionit, si dhe në avancimin dhe forcimin e mekanizmave të sundimit të ligjit.
Megjithatë, sipas presidentit Thaçi, Republika e Kosovës ka miratuar Kushtetutën me moderne, ka nxjerr akte ligjore që parandalojnë dhe sanksionojnë veprat e korrupsionit, ka hartuar dokumente të politikave dhe janë bërë hapa konkretë në forcimin e sundimit të ligjit.
“Në mënyrë graduale është rritur numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë ngritur kapacitet e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe është rritur edhe buxheti për institucionet e sundimit të ligjit”, tha Thaçi.
Kreu i shtetit u shpreh se përgjatë këtyre 10 viteve shtet, Kosova ka arritur progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithnjë ekziston mundësia që të bëhet edhe më shumë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të punohet më me profesionalizëm.
“Ne e dimë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është e lehtë, por ne duhet të ecim përpara. Sfidat duhet t’i tejkalojmë me bashkëpunim, profesionalizëm dhe përkushtim të secilit prej neve”, ka thënë ai.
Presidenti gjatë diskutimit ka përmendur edhe sfidat që janë përcjellë nga takimet e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
Ai shtoi se janë bërë hapa konkretë në forcimin e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.
“Tani pres nga të gjitha institucionet që të dëshmojnë këtë progres dhe ky progres të vlerësohet nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe të ecet përpara me liberalizimin e vizave”, tha ai.
Presidenti Thaçi bëri të ditur se Republika e Kosovës do të vazhdojë edhe më tej të forcojë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit./k.s/























