TIRANË, 4 Prill /ATSH- I. Vata/ – “Kemi parë këto katër ditë se si prokuroria dhe gjykata kanë shkelur të drejtat e qytetarëve të pafajshëm që protestonin për të drejtat e tyre legjitime, prandaj nesër të nisim protestat dhe të rezistojmë me të gjitha format demokratiket, tha sot pasdite kryetari i PD-së Lulzim Basha, në një prononcim për mediat.
Sipas Bashës, ky është një regjim që burgos popullin dhe lë kriminelët të lirë.
Ai tha se qeveria ka privatizuar Policinë e Shteti dhe sistemin e drejtësisë. “Sot Policia e Shtetit bëri shtatë rrethim në Tiranë. Ka privatizuar prokurorinë, ka privatizuar gjykatën dhe sot dhunoi deputetët e opozitës”, tha Basha.
Më tej, Basha tha se nuk mund të privatizojë do popullin shqiptarë. “Regjimet të cilat kundërvihen interesin publik, që përdorin dhunën janë vetëm hapat para rrëzimit. Popullin shqiptarë nuk e nënshtron dot. Ne do jemi në krah të qytetarëve kuksianë, do jemi nesër në protestat e njoftuara nga qytetarët, nga sipërmarrësit e vegjël, nga fermerët, nga njerëzit që janë larguar nga ndihma ekonomike, në Bradashesh, në Milot, Vorë dhe Çermë. Do jemi në krah të tyre, një popull i bashkuar që do të rezistojë me të gjitha format dhe normat demokratike është garancia se kjo diktaturë e krimit i ka orët e numëruar”, tha ai.
Po ashtu Basha shtoi se “ndaj, ju bëjë thirrje shqiptarëve dhe socialisteve të ndershëm ta refuzojmë privatizimin e shteti”.
“Opozita do jetë në krah të qytetarëve që do protestojnë nesër, ndaj ju thërras të jemi bashkë të protestojmë se e drejta nuk nënshtrohet dhe e drejta do triumfoi, theksoi në fund Basha
Kryemadhi: Fjala e politikës mbaroi, tani fjalën e ka populli
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha se sot dëshmuan se drejtësia vdiq, pasi prokurorë dhe gjyqtarë janë nën thundrën e policisë. “Vendi i gjykatës tregoi sot se reforma në drejtësi tashmë instaloi kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika, tashmë me këtë shtet nuk ka më bashkëpunim civil”, tha ajo. Sipas saj, fjala e politikës ka mbaruar radhën e ka populli në protestë.
“Askush nuk mund të vendoset mbi popullin dhe vullnetin e tij. Opozita e bashkuar nuk do ta lejojë më. Veprimet e opozitës janë legjitime dhe do jetë në krye të popullit. Sot fjala e politikës mbaroj, tani fjalën e ka populli”, theksoi Kryemadhi. /a.g/











