TIRANE, 3 Prill /ATSH/ Sipas kontratës, koncesionari i “Rrugës së Kombit” parashikohet të kryejë një vlerë investimi prej 262 milionë euro. Prej tyre, kosto totale e investimit për punime ndërtimi për 30 vjet shkon 100 milionë euro.
Në 4 vitet e para do të investohen nga koncesionari rreth 45 milionë euro.
Investimet do të adresohen në komponentë të ndryshëm duke përfshirë të gjithë sektorët sipas standardeve më të mira.
Kështu për stabilizimin e skarpateve do të investohen 10.7 milionë euro në 4 vitet e para, për ndërtimin e sheshit në tokë 2,5 milionë euro në dy vitet e para. Rrethimi me gardh 2.5 milionë euro, për ndriçimin e kryqëzimeve ekzistuese 0.6 milion euro. Ndërsa 15 milionë euro parashikohet të investohen për ndërtimin e urës mbi lumin Drin.
Koncensionari do të realizojë investimet krahas punimeve për mirëmbajtjen e rrugës së kombit, ndërsa do të vijojë me ndërtimin e 7 kryqëzimeve me hyrje dalje, që kapin vlerën e 7,3 milionë eurove për 3 vitet e para. Masa korrigjuese në urat ekzistuese parashikon një financim prej 2 milionë euro për 2 vitet e para dhe ndërtimi i mbikalimit për këmbësorët në Kukës 0,2 milion euro dhe qendra e kontrollit të sinjalistikës 2 milionë euro në dy vitet e para.
Ndërkohë për punimet e rehabilitimit në autostradë dhe tunel, përveç sa më lart, në periudhën nga viti i 5 deri në vitin e 30, janë parashikuar të investohen edhe rreth 54 milionë euro.
Ka filluar dhe do të investohet për mirëmbajtjen dhe operimin e autostradës dhe tunelit, kostoja e investimit është rreth 160 milionë euro (në këtë zë përfshihet mirëmbajtja rutinë, dimërore e autostradës dhe tunelit, afati nga viti 0-30). /e.xh/ /a.g/























