Ballina Lajme nga Vendi

Të tjera pemë për Parkun e Liqenit Artificial

TIRANË, 31 Mars /ATSH/ – Paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës, në Parkun e Liqenit Artificial po shtohen edhe sipërfaqet e gjelbra, duke rehabilituar bimësinë e dëmtuar për shkak të mosvënies dorë prej shumë vitesh.

Nismës së Bashkisë së Tiranës iu bashkuan sot edhe një grup vrapuesish dhe sportistësh, të cilët bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mbollën fidanë të rinj, duke kontribuar për më shumë hijeshi dhe oksigjen.

Kryebashkiaku tha se, ka një pafundësi qytetarësh në çdo cep të Tiranës që i janë bashkuar aksionit për mbjelljen e pemëve, ndërkohë që lista e pritjes e atyre që duan të lënë një gjurmë në qytetin e tyre është jashtëzakonisht e madhe.

“Bëmë shumë mirë që e shtuam me një muaj aksionin, sepse vetëm lista e pritjes e gjithë subjekteve që donin të dhuronin ishte jashtëzakonisht e madhe. Kështu, pse të mos u japim mundësinë të gjithëve t’i japin mbrapsht bujarinë qytetit të tyre. Ne punojmë të gjithë në punë të ndryshme, por një gjë që na bashkon është dashuria për vrapin, për sportin, për maratonën, për natyrën dhe për aktivitetet sportive”, u shpreh Veliaj.

Si një nga frekuentueset më të rregullta të Parkut të Liqenit Artificial për të vrapuar, zv. ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Albana Shkurta, përgëzoi Bashkinë e Tiranës për ndërmarrjen e këtyre nismave në dobi të komunitetit, ndërsa theksoi se tashmë ky park është kthyer në një destinacion për të gjithë.

Aksionit iu bashkua edhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, që me rastin e Pashkëve, festës së ringjalljes së shpresës, zgjodhi ta kremtojë këtë festë duke i dhuruar qytetit pemë të reja. Veliaj falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar deri më tani dhe ftoi që pjesë e kësaj iniciative të bëhen edhe ata të cilët ende nuk kanë mundur deri më tani.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës inspektoi edhe ecurinë e punimeve për rrugicat, pistat e vrapimit, si dhe të korsisë për biçikleta. Të gjithë ata që preferojnë ecjen dhe vrapin në natyrë, si dhe të apasionuarit pas biçikletave, kanë tashmë në dispozicion pista të mirëfillta për aktivitetet e tyre pranë natyrës dhe freskisë së liqenit.

Veliaj deklaroi se korsitë e vrapimit për qytetarët që duan të bëjnë një jetë të shëndetshme dhe aktive janë dyfishuar./e.malaj//m.m/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Matilda”, muzikal për fëmijë në Teatrin Kombëtar Eksperimental
Artikulli tjetërKINË – Pekini: Rusia dhe SHBA-ja t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me dialog