Rikthehen në punë pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes

TIRANË, 25 Mars/ATSH/.- Rikthimi në vendin e punës, është një tjetër problem që ka gjetur zgjidhje përmes Platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”.

Rasti i fundit i përket qytetares Sh.Z, e cila ishte e punësuar pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe për shkak të ristrukturimit të institucionit, kishte shkëputur marrëdhëniet e punës.

Qytetarja ankohej se ishte larguar pa të drejtë. Koordinatorët e Bashkëqeverisjes iu adresuan AKBN- së për ankesën, me sugjerimin që të ndiqet me vëmendje rasti.
Më vendim të drejtorit Ekzekutiv të AKBN, zonja Zoto do të rikthehet në punë.

Një tjetër problem i zgjidhur përmes platformës është edhe ai i qytetarit M.G nga Shkodra, i cili kishte punuar pranë Ndërmarrjes së Pyjeve rreth 42 vjet.

Në shkurt të vitit 2014 e kishin larguar nga puna pa asnjë arsye duke mos pasur asnjë vërejtje në punë.

Vendimi i formës së prerë i datës 07.02.2016 i kishte dhënë të drejtën e marrjes së 22 pagave. Duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore dhe problemet ekonomike kërkonte ndihmë për të fituar të drejtën sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit konfirmoi se pagesa është kryer pranë Degës së Thesarit Tiranë.

Ndërsa Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka mundur të zgjidhë ankesën e qytetarit, B.Z , që ankohej për furrat e gëlqeres të cilat vazhdonin të punonin me djegie gomash në mes të ditës, ashtu edhe natën. Furrat ndodheshin sipër gurores së Fushë – Krujës.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve në bashkëpunim me IKMT dhe me mbështetjen e Policisë së Shtetit, në datat 26 dhe 27 Shkurt 2018, organizuan prishjen e 33 furrave artizanale të prodhimit të gëlqeres./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.