Ballina Kosova

Veseli: Drama e demarkacionit merr fund sot

PRISHTINË, 21 Mars/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deklaroi se “sot do të votohet marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi”.

Në një konferencë për shtyp pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, Veseli theksoi se “ka ardhur momenti që të përfundohet drama, duke u votuar demarkacioni në orën 11.00. I sigurojmë partnerët europianë që institucionet e Kosovës do të punojnë fuqishëm në rrugën drejt integrimit në BE”.

“Kemi sakrifikuar shumë si vend, nuk do të lejojmë që për ego të askujt që puna jonë të shkojë dëm. Sot do ta përfundojmë ratifikimin e kufirit me shtetin mik, Malin e Zi”, tha ai.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, u shpreh se sot është ditë e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi ka gjasë që të zgjidhet çështja e demarkacionit.

“Sot është ditë e rëndësishme për Kosovën ku një ngjarje, e cila prej një kohe të gjatë ka gjasë të përfundohet, pra është marrëveshja për demarkacionin. Kjo është një nga dy kriteret dhe u bëj thirrje politikanëve që të mos i mbajnë qytetarët e tyre të izoluar drejt integrimit në BE”, nënvizoi ajo.

Apostolova u shpreh se “kanë biseduar në detaje se cila do të jetë puna e asamblesë për javën dhe muajin tjetër në kohën kur do të publikohet raporti për Kosovën”./KosovaPress/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNgjyrat fluoreshente, nuancat e pranverës
Artikulli tjetërAnëtari i Kushtetueses përballet me Vettingun