Ballina Ekonomi

Kurset kualifikuese për punëkërkuesit e papunë

TIRANË, 21 Mars /ATSH/- Punëkërkuesit e papunë, të cilëve u është ofruar dhe kanë pranuar të marrin pjesë në një kurs të formimit profesional (kurse profesionesh), mund të përfitojnë një pagesë pjesëmarrjeje në kurs, në masën 50% të së ardhurës nga papunësia, me kusht që ata të mos përfitojnë gjatë kësaj periudhe ndihmën ekonomike ose pagesën e papunësisë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për pagesën e pjesëmarrje në kurset e formimit profesional për punëkërkuesit e papunë të cilët kanë dalë nga ndihma ekonomike.

Sipas këtij vendimi, pagesa në masën 50% jepet për ndjekjen vetëm të një kursi, pra ata mund të përfitojnë vetëm një herë nga ky program. Punëkërkuesit të cilët do të marrin këtë pagesë prej 55 mijë lekësh për t’u riaftësuar në qendrat e formimit profesional do të vlerësohen nga një komision vlerësimi i përbërë nga të paktën 3 presona i cili do të ngrihet pranë zyrës së punësimit.

Ndërkohë, pagesa do të kryhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas dërgimit të një konfirmimi nga institucioni ofrues i kursit i cili vërteton se pjesëmarrja në programin e formimit profesional është e rregullt.

Vendimi parashtron se për rastet kur punëkërkuesit e papunë janë mbi 2 km larg institucioni të kursit të formimit profesional, zyra e punësimit do të paguajë edhe një kosto mujore transporti, në masën e përcaktuar në kuadrin ligjor për tarifat e udhëtarëve të transportit.

Ky program do të nisë zbatimin e tij këtë vit dhe kohëzgjatja e tij është parashikuar të jetë deri në 5 vjet.

Ky program synon integrimin në tregun e punës të individëve që dalin nga ndihma ekonomike dhe rritjen e punësimit në tërësi përmes një strategjie të re zhvillimi. e.xh//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHAPËSIRË – Sfida e fundit e Hawking: Në kërkim të universeve të tjera
Artikulli tjetërMemorandum mirëkuptimi me Finlandën dhe Suedinë për kryerjen e aktiviteteve ushtarake