TIRANË, 21 Mars /ATSH- I. Vata/ – Misioni i FMN-së ka bërë paralajmërime kritike dhe serioze për të ardhmen e vendit duke dhënë një mesazh të qartë se gjendja ekonomike e Shqipërisë do të përkeqësohet në të ardhmen, deklaroi sot Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një konferencë për mediat në selinë e PD-së.
Më tej, Basha tha se mbarimi i TAP dhe i Devollit, investim i qeverisë së demokratëve do ta thajnë ekonominë nga financimet e huaja që janë të domosdoshme për të krijuar punësim, mirëqënie dhe për të rritur ekonominë. “Kjo qeveri nuk ka sigurua investime të huaja. FMN thotë qartë se se përfundimi i këtyre investimeve do të sjellë rënie ekonomike”, tha Basha.
Duke iu referua FMN-se, Basha shton se “FMN i bie alarmit se borxhi ka arritur një rekord të pa përballueshëm, gati 72% e prodhimit të vendit, madje në këtë borxh nuk përfshihet borxhi i fshehur i PPP-ve i cili rritë niveli në 10 pikë të tjera, duke e çuar borxhin në 82%”.
“Ky nivel i lartë borxhit është i rrezikshëm për ekonominë shqiptare dhe mund ta çojë vendin drejt krizës financiare”, theksoi ai.
Sipas Bashës, FMN ka konstatuar se parat e shqiptarëve investohen për investime të kota, pa leverdi ekonomike dhe pa interes për qytetarët.
Më tej, Basha pohon se “FMN bënë thirrje që duhet të vendosen prioritete të qarta se ku do të investohen parat e shqiptarëve”.
Sipas Bashës edhe reforma në energji është kritikuar nga FMN. “FMN thotë qartë se investimet në energji janë një dështim dhe kërkohen përmirësime emergjente.
Pyetjes se si e komentoni letrën e ministrit të Brendshëm për prokurorinë për sa i përket drogës së Maminasit, dhe a do ishit të gatshëm të shkonte në prokurori, Basha u shpreh se “kjo deklaratë, letër është një akt i dënueshëm i ministrit Fatmir Xhafa sepse kjo është vendosja e prokurorisë nën urdhrat e qeverisë dhe të ministrit. Informacioni më i sigurt që mund të jap unë për të gjetur rruga e kokainës në Shqipëri është që prokuroria të gjurmojë Xhafën”. /a.g/





















