Kosovë, fushatë për edukim shëndetësor

PRISHTINE, 16 Mars /ATSH/ -Projekti, Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor bashkëpunon me 12 komuna në Kosovë për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të kujdesit primar shëndetësor.

Gjatë vitit 2016 vetëm 15% e njerëzve ishin në dijeni  rreth faktorëve të rrezikut për diabetin dhe hipertensionin.

Ilir Begolli nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës,  tha se  përmes edukimit do të avancojmë më  shumë në përmirësimin e aspektit shëndetësor.

Begolli tha se ky edukim shëndetësor për diabetin dhe hipertensionin ndikon edhe në aspektin ekonomik.

“Në duart e punëtorëve shëndetësor do të mbetet një vegël shumë e fortë që të parandalon në rend të parë dhe të përparon gjendja shëndetësore  e popullatës, përmes edukimit dhe promovimit shëndetësor . Fuqia e saj do të shihet edhe në aspektin ekonomik, sot qytetari  duhet të paguajë shumë nga xhepi i vet për trajtim, pse mos ta parandalojmë? Prandaj fuqia jonë do të jetë që ta parandalojmë sa më tepër. Ta lehtësojmë punën edhe të Ministrisë së Financave edhe të Ministrisë së Shëndetësisë e të gjitha që ato të hollat që i kemi në mënyrë të kufizuar në Kosovë t’i përdorim për ato raste ku intervenimet shëndetësore janë më të dobëta”, tha Begolli.

Këshilltarja e ministrit të Shëndetësisë Uran Ismajli, Donika Bajrami tha se MSh përkrah kujdesin primar, duke e cilësuar AQH-në si shumë të rëndësishme.  Sipas saj porta e parë e pacientit fillon me kujdesin primar shëndetësor.

“Jemi mbështetës  të kujdesit primar duke marrë parasysh se aty fillon porta e parë e pacientit, i cili merr shërbimin dhe prej aty fillon gjithçka , nëse një trajtim i mirë fillon aty gjithçka do të menaxhohet me sukses”, tha Bajrami.

Udhëheqja e projektit  Kujdesi Shëndetësor i  Qasshëm dhe Cilësor (AQH), Debra Stevenson, tha se qëllimi i fushatës do të ngrejë ndërgjegjësimin e njerëzve për faktorët e rrezikut  që kanë të bëjnë me diabetin dhe hipertensionin.

“Qëllimi i kësaj fushate  do të jetë për të ngritur ndërgjegjësimin e njerëzve për faktorët  e rrezikut, që ata të kuptojnë cilët janë faktorët  e rrezikut, nëse i fitojnë këto sëmundje, ata mund t’i kufizojnë ndërlikimet e sëmundjeve të cilat mund t’i arrijnë”, tha, Stevenson.

Kurse udhëheqja e divizionit për infermieri,  Fetije Huruglica tha se rolin kyç për përmirësimin e edukimit shëndetësor në popullatë e kanë infermieret.

“Ne e shohim se rolin kyç e kanë infermieret, ku ato mund ta parandalojnë dhe mund të na drejtojnë  për kujdesin paqësor shëndetësor, përmes edukimit dhe promovimit shëndetësor  për popullatën”, tha Huruglica

Ky projekt gjatë kësaj jave ka bërë shpërndarjen e postarëve tek institucionet për t’i informuar me fushatën 6 javore që do të mbahet në 12 komuna të Kosovës.

Përveç në media AQH do e lançojnë edhe nëpërmjet rrjetit social Facebook një video për vetëdijesimin e qytetarëve në lidhje me diabetin dhe hipertensionin. Kjo fushatë financohet nga Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim(SDC) nga Zvicra.  /Kosova Press/ /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.