https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155636197541523/
TIRANE, 11 Mars/ATSH/- Të tjera investime vijojnë në qytetin bregdetar të Vlorës, sikurse është edhe rikonstruksioni i bulevardit “Ismail Qemali”, projekt i financuar nga qeveria shqiptare në kuadrin e Programit Kombëtar për Rilindjen Urbane dhe Banka e Këshillit të Europës, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Me pamje nga Vlora e rilindur, Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjes ndjekësit në rrjetin social facebook. “Mirëmëngjes, dhe me këtë vrapim me sy mbi Vlorën e rilindur, ku ka ende shumë akoma për të bërë, e shumë më shumë do të bëhet, ju uroj një të dielë të bukur”, shkruan Rama.
Në fazën e parë të projektit, është parashikuar rindërtimi i Bulevardit kryesor nga rrethrrotullimi pranë qendrës tregtare “Riviera” deri në kryqëzimin e Bulevardit Kryesor me rrugën “Petrit Bisha”.
Gjate realizimit të projektit në këtë segment parashikohen ndërhyrje në të gjithë infrastrukturën ekzistuese nëntokësore, projekt i ri i shtresave rrugore, si dhe urbanizim.
Punimet do të ndahen në disa segmente me qëllim realizimin në kohë dhe me cilësi të projektit, por edhe për të shmangur ngarkesat në qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve nëpër qytet.
Bllokimi pjesor i Bulevardit dhe devijimi i lëvizjes së mjeteve është parashikuar të fillojë në segmentin rrethrrotullimi pranë qendrës tregtare “Riviera” deri në kryqëzimin e bulevardit me rrugën “Gjergj Arianiti”.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit njofton se përgjatë këtij segmenti lëvizja e mjeteve do të jetë e ndaluar, ndërsa lëvizja e këmbësorëve do të kufizohet në gjeresi 2-2.5 m nga objektet e bizneseve përgjatë këtij segmenti./a.g/










