PSALM, pasioni që kthen në ar simbolet etnografike

TIRANE,7 Mars /A.Alla ATSH/ – Simbolet e etnografisë shqiptare të ndërthurura me teknikën e qëndismës vijnë në një tablo arti në ekspozitën ”Psalm”. Kjo ekspozitë është një vepër arti e mirëfilltë pasi publiku sheh nga afër në galerinë FAB, madhështinë e simboleve shqiptare të punuar me fije ari dhe argjendi.

Këto punime janë punuar me mjeshtëri nga artistja, Egla Memaj e cila e ka realizuar këtë projekt pas një pune për më shumë se tre vitesh. Projekti personal i artistes është kuruar nga Najada Hamza.

”Psalm” është diçka e veçantë pasi nuk është thjesht një ekspozitë por është një pasion i hedhur në tablo ku tradita e qëndismës pasqyrohet në diçka bashkëkohore por pa zbehur shkëlqimin dhe historinë që përmbajnë në vetvete këto simbole etnografike.

Në këtë ekspozitë ajo që të binte në sy ishin detaje etnografike nga veshjet popullore të Elbasanit dhe Beratit. Konkretisht Xhybja e Elbasanit, Brezi i Beratit, Jeleku i Beratit dhe Sako e Beratit të cilat ishin punuar me fije ari dhe argjendi e që të krijonin idenë e një pamje sa sureale aq dhe të veçantë.

Artistja, Egla Memaj në një prononcim për ATSH u shpreh se,”dashuria për etnografinë ka nisur me muzeun e Beratit që në kohën e fakultetit ku ne bënim praktikat mësimore. Në këtë moment vendosa të merrem me etnografinë. Në këtë ekspozitë ”Psalm”që do të thotë këngë hyjnore kam sjell diçka bashkëkohore”.

”Në këtë ekspozitë prezantohen 29 punime të gjitha të qëndisura ,të cilat janë detaje të shkëputura nga veshjet e Beratit si sako, jelek ,breza të cilat përmbajnë motive që janë simbole të vendit tonë nga lashtësia deri më sot” u shpreh Egla Memaj.

Artistja shtoi se, ”për të bërë këto punime duhet një proces i gjatë 8 deri në 12 orë në ditë ,e ku nuk duhet të mungojë dashuria përqendrimi dhe vullneti”,u shpreh Memaj.

Egla Memaj e diplomuar në Universtitetin e Arteve në degën tekstil-modë në fund tha se, ”e rëndësishme është që kjo ekspozitë të pëlqehet dhe kënaqësia ime është që punova në shtëpinë time dhe u riktheva përsëri në shkollën ku unë kam studiuar me këto punime”,u shpreh artistja.

Ekspozita “Pslam” do të qëndrojë për publikun deri në fundjavë të galerinë FAB./a.a//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.