Ballina Aktualitet

Policia e Shtetit: Keqardhje për sulmin e Bashës

TIRANE, 28 Shkurt/ATSH/- Policia e Shtetit ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të PD, Lulzim Basha në lidhje me kapjen e 613 kg kokaine në Portin e Durrësit.

Në një deklaratë për shtyp, policia thotë se sulmet e Bashës janë të pakuptimta, duke theksuar se droga u kap nga autoritet shqiptare pa ndihmën ndërkombëtare.

“Policia e Shtetit Shpreh keqardhjen për sulmin e pakuptimtë të kryetarit të Partisë Demokratike, lidhur me operacionin e suksesshëm të kapjes së një ngarkese me kokainë, e cila rezulton të jetë sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vendin tonë. Operacioni është kryer në bashkëpunim me Hetimin Doganor, që në bazë të analizës së riskut ka sinjalizuar Policinë e Shtetit, për një dyshim të arsyeshëm lidhur me mjetin që transportonte drogën e ardhur nga Kolumbia, përmes Italisë e Maltës”, thuhet në deklaratë.

Sipas policisë, ky operacion është një sukses i padiskutueshëm i agjencive ligjzbatuese shqiptare, që është finalizuar falë bashkëpunimit intensiv me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
“Në këtë rast, i gjithë operacioni nga fillimi në fund është kryer pa asnjë përfshirje të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Prandaj është jo vetëm e pakuptueshme, po edhe denigruese ndaj Policisë së Shtetit dhe jo vetëm, që një drejtues i opozitës të angazhohet në një sulm tërësisht absurd, pikërisht në rastin më të mirë për të vlerësuar e përgëzuar punën e policisë e të agjencive të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë.  Lufta e Policisë së Shtetit kundër krimit te organizuar e trafikut te drogës, ka hyrë në një fazë të re, ku rezultatet janë të dukshme e konstante dhe do të konsolidohen në vazhdim. Duke e konsideruar përfshirjen e Policisë së Shtetit, në shënjestrën e luftës politike si të dëmshme jo vetëm për trupën e policisë, po për mbarë shoqërinë Policia e Shtetit hedh poshtë çdo akuzë dhe insinuatë politike në adresë të saj dhe i siguron qytetarët se do të vijojë të zbatojë e të mishërojë forcën e ligjit për një Shqipëri të sigurtë, me rend e qetësi të garantuar për të gjithë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj takoi sot Drejtorin e Përgjithshëm Ardi Veliu dhe drejtuesit e operacionit të fundit antidrogë “Last Snow” ku u sekuestrua sasia rekord prej 613 kg kokainë e ardhur nga Kolumbia.

“Ministri përgëzoi Policinë e Shtetit dhe inkurajoi për një hetim gjithëpërfshirës. Vlerësoi faktin e ruajtjes së konfidencialitetit të operacionit nga Policia dhe Hetimi Doganor. Kërkoi bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë për t’i shkuar deri në fund hetimit” thuhet në një njoftim për shtyp të kësaj ministrie. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLONDËR – May: Refuzojmë një marrëveshje që rrezikon integritetin kushtetues të vendit
Artikulli tjetërI ftohti luftohet me ushqim